Samiti për Demokracinë që organizohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahet virtualisht dhe nis më 9-10 dhjetor, ndërsa do të marrin pjesë liderë nga shumë vende të botës, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe sektori privat.
Javën e kaluar, kur edhe fillimisht u publikua nga mediumi amerikan Politico lista jozyrtare me vendet që janë ftuar, aty nuk ka figuruar edhe shteti i Kosovës, ku si rrjedhojë pati edhe reagime.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka treguar për Telegrafin pse Kosova nuk është ftuar në Samitin e Demokracisë të SHBA-ve.
Në përgjigjen për Telegrafin, nga Zyra për Medie e ambasadës kanë deklaruar se “Jo të gjithë partnerët mund të përfshiheshin në këtë iniciativë”.
“Samiti i Presidentit për Demokraci është një nga iniciativat e shumta të SHBA-ve të fokusuara në avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut në mbarë globin”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane për Telegrafin.
Sipas deklaratës qëllimi i këtij Samiti ishte bashkimi i një grupi rajonal dhe socio-ekonomik të vendeve dhe juridiksioneve, duke përfshirë demokracitë e vendosura mirë ashtu edhe ato në zhvillim me diversitet të madhësisë së popullsisë, demografisë dhe vendndodhjes.
“Siç vuri në dukje Presidenti Biden në fjalimin e tij video të gushtit, Kosova ka bërë ‘përparim të jashtëzakonshëm gjatë 20 viteve të fundit’ duke ndërtuar një demokraci të rigjenerueshme e multietnike”, thuhet në përgjigje.
“Si partner i palëkundur i Kosovës, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën në forume të tjera për të avancuar dhe forcuar demokracinë, për të parandaluar prapambetjen demokratike, për të promovuar respektin për të drejtat e njeriut dhe për të luftuar korrupsionin, në mënyrë që së bashku të mund të dëshmojmë se demokracitë plotësojnë nevojat e popujve të tyre”.
Pavarësisht kësaj, mos ftesa për Kosovën ka ngjallur reagime.
Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka pyetur po ashtu në Facebook se “si është e mundur që SHBA-të na shohin në Evropë si pjesë e një klubi joprestigjioz autokratësh anti-perëndimorë bashkë me Vuçiqin, Dodikun, Lukashenkon, Orbanin dhe Erdoganin?”
“Jam i bindur se nuk duhet të ketë qenë e lehtë për SHBA-në për t’ia bërë këtë gjë shtetit të cilin kanë ndihmuar ta krijojnë”, ka thënë Maliqi.
Ndërkaq, kritika ka pasur edhe nga radhët e opozitës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se për më shumë se dy dekada të plota dhe pandërprerë, SHBA-të dhe Kosova kanë pasur relacion special, jo vetëm në atë që mund të ndërtojnë dy shtete, por edhe në atë që është e rrallë, lidhjen e fuqishme që mund ta ndërtojnë bashkë dy kombe.
Tahiri ka thënë se mos ftesa për Kosovën nga Presidenti Biden tregon se marrëdhëniet mes vendit tonë e SHBA-së janë degraduar.
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-koordinatori nacional për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni ka thënë se Kosova asnjëherë që nga shpallja e pavarësisë nuk ka qenë më e izoluar në rrafshin ndërkombëtar që nga ardhja në krye të shtetit siç e quan ai binomit Kurti-Osmani.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke komentuar mos ftesën e Kosovës në Samitin për Demokraci në Uashington, ka thënë se është shqetësuese dhe alarmuese shkalla e degradimit të raporteve me ShBA-të.
Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Faacebook, ka thënë se “mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Uashingtonit duhet të na shqetësojë të gjithëve pa dallim dhe të shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me ShBA-të si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit”.
Lidhur me mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë samit, kanë reaguar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, ndërsa nga Presidenca kanë dhënë sqarime.
Konjufca pranon se një ftesë dërguar Kosovës do të kishte qenë e mirëseardhur, por kryeparlamentarit tani i duhet vetëm të shpresojë që vitin tjetër SHBA-ja ta ftojë Kosovën në Samitin për Demokracinë.
“Ato janë konferenca të rëndësishme, të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se kush është e rëndësishme të marrë pjesë ose jo. Për Kosovën do të kishte qenë e mirëseardhur po të kishte qenë pjesë e kësaj konference. Kjo po mbahet për herë të parë, por dëgjova që pas një viti do të mbahet tjetra, sepse kjo parashihej në dy faza”, ka thënë Konjufca.
Blerim Vela, shefi i Stafit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas kritikave të fundit nga opozita por edhe oponentë të tjerë se shteti i Kosovës është izoluar në arenën ndërkombëtare, që nga ardhja në krye të shtetit të kryeministri Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Vela përmes një reagimi në Twitter ka shkruar se presidentja Osmani nga prilli ka realizuar mbi 30 takime me homolog të saj.
“Tendenca e ca figurave opozitare për krijimin e narrativit për gjoja izolimin e Presidentes janë të pabaza. Presidentja nga prilli ka realizuar mbi 30 takime me homolog të saj. Në raport me SHBA, mes tjerash, ka pasur komunikim me Presidentin Biden e ka biseduar me VP Harris”, ka shkruar Vela.
Vela ka përmendur gjithashtu edhe dhurimin e mbi 500 mijë vaksinave për Kosovën nga SHBA-të, duke thënë se të gjitha këto janë realizuar pa shtyrë ide për copëtimin e Kosovës.
“Si rezultat i partneritetit të tillë me SHBA janë siguruar mbi 500 mijë vaksina, është përcjellë video adresimi personal i Presidentit Biden dhe është realizuar strehimi i përkohshëm i refugjateve afgane. Të gjitha këto janë realizuar pa shtyrë ide për copëtimin e Kosovës”, ka shkruar Vela në Twitter.
Në rajon, përveç Kosovës nuk është ftuar as Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Profesori Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se nuk mund të ketë flitet për krahasime, e aq më pak të tërhiqet paralele ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
“Ironikisht, Kosova është shtet aq i ri, por është edhe një nga demokracitë më të fuqishme në Ballkan, me sistem shumëpartiak, me media të lira, me një qeveri që lufton korrupsion dhe krimin e organizuar. Dhe këto veprime janë në kundërshtim me trendet në rajon. Në Serbi ka trend autokratik. Kosova nuk mund të krahasohet as me jofunksionalitetin në Bosnje”.
Ndryshe, Samiti për Demokracinë pritet të nisë virtualisht sot dhe do të zgjasë dy ditë.