Site icon PrishtinaPress

Salih Mustafa në mesditë para Gjykatës Speciale: Çka përmban aktakuza ndaj tij

Nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës gjatë vitit 1999, ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, do të dalë për herë të parë para gjykatës së Dhomave të Specializuara, të hënën (sot), më 28 shtator në orën 15:00. Por çka përmban aktakuza ndaj tij?

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se aktakuza ndaj Salih Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të këtij viti.

Në bazë të aktakuzës, Mustafa dyshohet për disa vepra penale, përfshirë torturën dhe vrasjen e paligjshme.

“Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara më 24 shtator.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

“Ata u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës”, thuhet në aktakuzë.

Gjithashtu, pretendohet se në këtë lokacion ishte vrarë një i ndaluar gjatë muajit prill të vitit 1999.

Ndër tjerash në aktakuzë, po ashtu, theksohet se “Salih Mustafa, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së”, mori në pyetje dhe rrahu një person –identiteti i cilit është fshehur apo redaktuar – “dhe urdhëroi të tjerët që ta rrihnin”.

Siç shtohet në aktakuzë, atë e shqelmuan, e goditën me grushte dhe e rrahën me shkopinj. Sipas aktakuzës, atij i është thënë se ishte spiun dhe se do ta vrisnin.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky njësit, siç thuhet në aktakuzën e ngritur ndaj Mustafës, kishte rreth 600 ushtarë dhe vepronte në zona urbane si Prishtina dhe Obiliqi.

Sipas aktakuzës, ky njësit e përdori kompleksin në Zllash si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Viktimat e këtyre krimeve, që pretendohen në aktakuzë, ishin të gjithë shtetas të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime, thuhet në aktakuzë.

Exit mobile version