Për të tretën herë me radhë, Policia është detyruar të ndaloj punimet në një pronë që ndodhet në lagjen Veternik të Prishtinës. Nexhat Sadiku pretendon se toka me mbi 2 hektarë është pronë e tij, e cila është në kontest gjyqësor që nga viti 1984. Sipas Sadikut, një grup i njerëzve ia kanë marrë tokën dhe brenda 9 muajsh kanë arritur që ta kalojnë atë në emrin e tyre. Ai shton se egzistojnë prova dhe dyshime të bazuara që i gjithë ky proces është i manipuluar.
“Toka ka qenë e trashëguar nga babai e gjyshi im. Të gjithë kojshitë na njohin neve këtu që e kemi punuar tokën para luftës. Këta pronarët e rinjë që pretendojnë se toka është e tyre, nuk i njeh askush. Dëshmitarët janë të gjallë. Ne posedojmë shumë dokumente dhe prova që dëshmojnë se kjo pronë ka qenë e familjes time para më shumë se 60 vitesh. Kemi fletën poseduese, vërtetime që kemi paguar para për këtë tokë, certifikata që toka ka qenë në emrin tonë, vërtetimin që nuk kemi marrë kompezim për tokë etj. Në vitin 1962 tokën na ka marrë shteti.
Në vitin 1983 kur është bërë aerofotografimi e kemi kuptuarqë toka figuron në emër të PIK-ut dhe kemi bërë padi në vitin 1984. Deri në vitin 1987 janë mbajtur 3 seanca në Gjykatën Komunale pastaj saj ka kaluar rasti në Gjykatën e Qarkut. Në vitin 1988 më vdes babai dhe landa pushon. Pasi kemi bërë trashëgiminë nga babai në Gjykatën Komunale, e kemi vazhduar landën në vitin 2001 në Gjykatën Themelore. Landa me numrin 1161/01 ndërsa gjykatëse ka qenë Sanije Muçolli.
3 herë janë ftuar në seanca gjyqësore përfaqëesuesit e Kombinatit Bujqësor që atëherë kanë figuruar si pronarë, por nuk kanë ardhë. Atëkohë ka qenë praktikë nga Gjykatat që nëse vërtetohet se ftesa i është dorëzuar palës dhe ajo nuk e ka arsyetuar mosardhjen, Gjykata ka vendosur në favor të palës paditëse. Por gjyqtarja Muçolli vendosi që të bëhet ekspertiza e landës dhe ajo është bërë nga Sharr Pllana. Në vitin 2004, Gjykata Themelore sjell aktvendim që të shpallet jokompetente për zgjidhjen e pronave shoqërore dhe për to të vendosin Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme. Deri në vitin 2017 nuk jemi ftuar nga Dhomat e Posaçme sepse është prolonguar situata për interesa të dikujt. Ndërkohë, në vitin 2014 paraqitet një grup i njerëzve dhe e përkthejnë tokën brenda 9 muajsh, që nuk ka ndodhë në histori të zgjidhet një kontest i tillë për një kohë kaç të shkurtë.
“Ne jemi pronarë legjitim dhe kemi dyshime të bazuara dhe prova që ky grup ka bërë falsifikime të dokumenteve dhe nënshkrimeve” deklaron Sadiku për Indeksonline.
Familja Sadiku ka ngritur kallëzim penal dhe ka dërguar të gjitha provat në prokurori por sipas tyre prokuroria e rastit, Bukurije Gjonbalaj nuk po ndërmerr asnjë masë konkrete.
Ndërkohë gazetari Arlind Sadiku, i biri i Nexhatit, thotë se ka komunikuar personalisht me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier për këtë rast dhe ai e ka falënderuar që e ka adresuar si shqetësim. Sadiku poashtu ka informuar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë.
“Ne dyshojmë që ky është krim i organizuar, ku janë të përfshirë shumica e institucioneve të drejtësisë. Në këtë rast ka manipulime nga Krimet Ekonomike, AKP-ja, Prokuroria, Gjyqësori etj. Paramendoni cili është skandali më i madh. Trupi gjykues i përbërë nga Behxhet Muçiqi, Teuta Ibrahimi dhe Witold Jakimko në vitin 2015 ka marrë vendim që këtë pronë ta kaloj në emrin e Zojë Hysenit, e cila ka vdekur vetëm 2 ditë pas Aktvendimit. Pastaj, të njejtit gjyqtarë, për të njejtën pronë kanë mbatur seanca gjyqsore me familjen time, në vitin 2017, 2018, e 2019. Kjo është skandaloze. Vetëm ky fakt mjafton që prokurorja Bukurije Gjonbalaj të veproj. Pas vdekjes së Zojë Hysenit, prona ka kaluar në emër të Ylber Hysenit. Brenda një kohe rekorde, pa respektuar asnjë afat ligjor, ajo është parcializuar në shumë prona. Shumica e pronarëve aktualë të tokës tonë, janë figura të larta publike që kanë lidhje me drejtësinë. Kemi dyshime të bazuara që këta pronarë nuk kanë bërë asnjë transaksion bankar për të tu bërë pronarë të parcelave” shprehet Arlind Sadiku për Indeksonline.
Disa prej pronarëve të rinjë, kanë qenë prezent sot tek toka duke vëzhguar ndalimin e punimeve nga Policia dhe nuk kanë pranuar të japin deklaratë, duke pretenduar që dokumentacionin e kanë në rregull.
Familja Sadiku shprehet e gatshme të mbrojë pronën e saj në çfardo forme dhe bën thirrje nga institucionet e Kosovës që sa më shpejtë të vëjnë drejtësi në këtë rast.