Pedagogu në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike, Sandër Kovaçi thotë se paga e profesorëve në universitetet e Kosovës shkon deri në 1500 euro, ndërsa në vendin tonë, nuk e kalon shifrën e 1000 eurove.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Kovaçi u shpreh se pedagogët kërkojnë rritjen e pagave me 30% këtë vit dhe 20% vitin e ardhshëm.
“Ne e kemi kërkuar takimin me ministrinë apo me institucionet që herët, tani kohët e fundit ka tentativa për komunikim, por nuk ka asgjë konkrete sa i përket realizimit të sindikatës. Është kërkuar rritja që t’i afrohet nivelit të pagës të Universitetit të Kosovës të para dy viteve. Të rritet në masën 30% këtë vit dhe 20% vitin e ardhshëm. Është një diferencë 50% më e ulët. Atje paga e një profesori shkon 1400-1500 euro, ndërsa këtu profesori nuk paguhet as 1 mijë euro”, theksoi ai.
Stafet akademike dhe administrative të universiteteve do te zhvillojnë sot një protestë 1-orëshe.
Kjo protestë do të jetë si paralajmërim ndaj qeverisë, e cila nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me peticionin e tyre për rritjen e pagave, por edhe mbështetje më të madhe për kërkimin shkencor.
Protesta do të zhvillohet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në orën 10:00. Pedagogët paralajmërojnë mos nisje të procesit mësimor më 17 tetor nëse qeveria nuk do të marrë masa për të plotësuar kërkesat e tyre./Prishtinapress/