0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Sa kushton imunoterapia për trajtimin e kancerit në Kosovë?

Dafina Ademi-Islami, e cila është mbikëqyrëse e citostatikëve për pacientë në Klinikën e Onkologjisë, ka folur lidhur me imunoterapinë.

Ajo ka thënë se kjo imunoterapi për herë të parë futet në listën esenciale të barnave në vitin 2019, përderisa sipas saj, furnizimet e para në Klinikë arrijnë në fund të prillit të vitit 2021.

Për këtë imunoterapi, Ademi-Islami ka thënë se indikacionet nuk kanë qenë të qarta.

“Indikacionet janë ato që tregojnë se kush përfiton nga ai ilaç, e përcakton numrin e pacientëve që përfitojnë nga kjo terapi” – shpjegon ajo.

Tutje e njëjta thotë se imunoterapia është terapi që rrit forcat imunitare në organizëm për shkatërrimin e qelizave malinje dhe mutante dhe u jepet njerëzve që kanë tumor apo kanë kancer.

“Mbi 90 për qind e tumoreve solide, përfshirë edhe tumoret e gjakut, sot trajtim primar e kanë imunoterapinë” – tregon ajo.

Sipas mbikëqyrëses së citostatikëve në Onkologji kjo terapi në aspektin financiar është e kushtueshme.

“Në aspekt financiar për fat të keq pa thonjëza me thanë është që kanë kosto se është terapi e shtrenjtë, janë të kushtueshme me mijëra euro në muaj” – thotë ajo duke shtuar se kostoja e kësaj terapie shkon më shumë se 4 apo 5 mijë euro në muaj, përderisa doza vjetore për një pacient, sipas saj, është mbi 100 mijë euro.

Dafina Ademi-Islami ka folur edhe lidhur me çështjen e dy barnave të shtrenjta për të cilat ishte bërë publike se afër tyre nuk ishte shkruar se për cilën sëmundje apo kancer mund të përdoren.

“Në fillim në Klinikë mundem me thanë verbalisht në mbledhje në mëngjes na është thënë që është specifikisht për melanomën edhe duhemi me qenë super të kujdesshëm edhe ne kemi qenë super të kujdesshëm” – thotë Islami-Ademi.

Dafina Ademi-Islami

Ajo tutje shton se prej mediave e ka kuptuar se njëra nga këto barna apo terapi nuk ka qenë për melanomë, por për një sëmundje tjetër.

“Thash qysh ndërruan indikacionet nuk e kuptoja, s’e kisha idenë, unë vet ndodhem në Klinikë edhe nuk e di se në shumicën e rasteve se çka ndodhë marrim vesh kështu prej mediave. Edhe normalisht pat edhe reagime prej kolegëve se nëse i ka filluar dikush indikacionet që është përmend veç gojarisht, në letër nuk ka” – thotë ajo.

Madje e njëjta tregon se këtë letër e ka edhe me vete edhe mund të shihet se është komplet i zbrazët indikacioni krahasuar me citostatikët tjerë që, sipas saj, kanë indikacione.

Ademi – Islami tregon se në vitin 2022, vetëm për periudhën janar-korrik janë 90 pacientë të futur në imunoterapi, përderisa barna ka për 20 të tillë.

“Nevoja është shumë më e madhe nëse nuk përcaktohen indikacionet” – shton ajo tutje.

Mbikëqyrësja e citostatikëve është pyetur se kush duhet t’i përcaktojë këto indikacione dhe përgjigjja e saj ka qenë që duhet profesionistët shëndetësor.

“Tash në momentin kur indikacionet specifikohen është shumë më e lehtë për neve si profesionist, por edhe për pacient se ngushtohet numri i pacientëve që përfitojnë” – thotë Islami – Ademi.

Madje ajo ka thënë se Kosova nuk e ka komoditetin që t’i përfshijë të gjithë pacientët në imunoterapi, pasi sipas saj Kosova është vend në zhvillim dhe se dihen mundësitë buxhetore që i ka./Kallxo/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img