Në Forumin Strategjik të Bledit, gjatë kësaj jave, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka propozuar vitin 2030 si synim në të cilin të dyja palët, edhe shtetet e Bashkimit Evropian, edhe shtetet kandidate për anëtarësim, do të duhej të ishin gati për zgjerim të BE-së. Përderisa fjalimi i tij shfaqi që kjo politikë është lartë në agjendën e BE-së, është në pikëpyetje nëse do të ketë shtete të reja anëtare të BE-së në shtatë vitet e ardhshme, përderisa BE-ja dhe shtetet kandidate për anëtarësim po lëvizin ngadalë në plotësimin e kushteve.
Loic Tregoures, ligjërues në Institutin Katolik të Parisit konfirmon për Ballkanin Perëndimor Evropian (EWB) që zgjerimi tani është më lartë në agjendën e BE-së, për nga nevoja. Ai thotë se askush nuk do ta parashikonte që Ukraina, Moldavia dhe potencialisht Gjeorgjia të bëheshin shtete kandidate në vitin 2021.
“Është detyrë e Michel-it të nis një sinjal politik, të japë një impuls dhe një horizont me një datë, edhe pse dhënia e një date përfshin rrezik të lartë për zhgënjim nëse asgjë nuk arrihet. Kështu që, besoj se dera njëmend është e hapur”, tha ai, transmeton Gazeta Express.
Ëouter Zëeers, hulumtues në Clingendael – Instituti i Holandër për Marrëdhënie Ndërkombëtare, pajtohet se zgjerimi është lart në agjendën e BE-së, duke theksuar se kjo temë do të jetë “kudo” muajve në vijim.
“Është takimi jozyrtar i Gymnich-ut i ministrave të jashtëm të BE-së, takimi jozyrtar në Granada i Këshillit Evropian, takimi në tetor dhe takimi në dhjetor, i shoqëruar me samitin BE-Ballkan Perëndimor më vonë, dhe në të gjitha këto ngjarje, zgjerimi dhe reformimi i institucioneve të BE-së do të jetë në qendër. Diskutimet do të bëhen në vendime afatshkurtëra si hapja e negociatave për hyrje në BE me Ukraninën, Moldavinë, por akoma më shumë reforma nevojitën në procesin e zgjerimit dhe në vetë BE-në”, ka thënë Zëeers për EËB.
Megjithatë, është e dukshme që BE-ja akoma nuk ka arritur konsensus që zgjerimi të ndodhë deri në vitin 2030. Pas deklaratës së Michel-it, janë parë reagime të ndryshme në publik, shkruan EWB.
Nga njëra anë, duket se Franca, e cila vetëm disa vite më parë shihej si skeptikja kryesore e zgjerimit brenda BE-së, ka filluar të zhvendosë si qëndrimin, ashtu edhe tonin e saj. Laurence Boone, Ministre e Shtetit për Evropën e Francës, pjesëmarrëse gjithashtu në Forumin Strategjik bled, deklaroi të martën se “nuk do të ketë siguri dhe stabilitet në BE dhe vendet fqinje, pa zgjerim”. Ajo madje shtoi se zgjerimi i BE-së mund të bëhet më shpejt se viti 2030, me kusht që si BE-ja ashtu edhe vendet kandidate të vetëreformohen. Udhëheqës të tjerë të BE-së, duke përfshirë qeverinë pritëse të Sllovenisë, shprehën gjithashtu mbështetje për procesin.
Në anën tjetër, shumë ngjarje që ndodhën pas deklaratës së Bledit, ngriten pikëpyetjen nëse ka një marrëveshje të qartë dhe të koordinuar për këtë cështje. Një ditë më vonë, një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se ky institucion nuk është i fokusuar në data, por në bashkëpunimin me shtetet kandidate për t’i përmbushur kushtet e tyre. Disa nga liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daciq, kanë shprehur skepticizmin e tyre që zgjerimi do të ndodhë deri në vitin 2030.
Një ‘elefant tjetër në dhomë’ mbetet gatishmëria e shteteve kandidate për t’u bërë vende anëtare të BE-së. EWB shkruan se ritmi i reformave ka qenë i ngadalshëm në rastin më të mirë, me disa vende që edhe kanë bërë hapa prapa në disa fusha. Zgjidhja e qëndrueshme e mosmarrëveshjes kryesore në Ballkanin Perëndimor, midis Kosovës dhe Serbisë, duket ende e paarritshme.
Loïc Tregoures beson se, realisht, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mund të kenë shpresa të jenë afër objektivit të vitit 2030, nëse ruhet “parimi i regatës” – vendet që bëhen anëtare individualisht sapo të përmbushin kriteret e nevojshme. Ai thotë gjithashtu se pozicioni i Francës ka evoluar seriozisht.