Site icon PrishtinaPress

Sa e njeh Kosovën, Peter Sorensen që sot fillon detyrën si emisar i dialogut?

Nga sot, për herë të parë në pesë vjet, negociatat mes Kosovës dhe Serbisë do t’i ndërmjetësojë emisari i ri i BE-së për dialogun, Peter Sorensen.

Sot 1 shkurt është dita kur diplomati nga Danimarka merr zyrtarisht punën, dhe do të merret vetëm me dialogun Kosovë – Serbi.

57-vjeçari e njeh rajonin, dhe si diplomat prej shumë vitesh, ai ishte angazhuar në Kosovë, në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në role tjera, në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Kush është Sorensen?

Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.

Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.

Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

Për postin e lehtësuesit të dialogut garoi edhe emri i ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, i cili po ashtu ka njohuri për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Për këto rol, ishte përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor. Vitin e kaluar, ai pranoi se ishte i interesuar për këtë post. Por, gjatë janarit të këtij viti tha se nuk do të garonte për këtë post, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatik sesa politik.

Ndryshe, gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët ka thënë blloku. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit, duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.

Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren.

Exit mobile version