4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Sa draft-statute janë hartuar për Asociacionin deri tani?

Për jetësimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që Prishtina dhe Beogradi arritën dhjetë vjet më parë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione.

Bashkësia ndërkombëtare insiston që Kosova të themelojë Asociacionin – që do të mblidhte rreth vetes komunat në Kosovë, të banuara me shumicë serbe – dhe themelimi i tij, nga faktori ndërkombëtar është parë si “kusht mbi kushtet” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Qeveria e Kosovës deri më tani ka refuzuar që ta themelojë Asociacionin, me arsyetimin se kompetencat e gjera të Asociacionit do ta kërcënonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur një draft-vizion për “vetëmenaxhimin e komunitetit serb”.

Themelimi i Asociacionit është kërkesë e vazhdueshme e Serbisë, por edhe të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Më poshtë mund të mësoni më shumë lidhur me draft-statutet ekzistuese për themelimin e Asociacionit:

Draft-statuti i Ekipit Menaxhues

Më 2 maj, në rundin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Ekipi Menaxhues – i përbërë nga katër përfaqësues serbë – paraqiti draft-statutin për themelimin e Asociacionit, që menjëherë u refuzua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se dokumenti nuk është në përputhje me kushtetutshmërinë e Kosovës.

Ky dokument, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, ka 67 nene dhe nëntë kapituj.

Asociacioni, sipas këtij draft-statuti, do të jetë një “formë e veçantë organizimi, e themeluar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave” të të gjithë banorëve dhe komuniteteve që jetojnë në komunat që janë pjesë e Asociacionit.

Ekipi menaxhues ka paraparë që qendra administrative e Asociacionit të jetë në Mitrovicë të Veriut dhe çdo komunë jothemeluese e tij mund të anëtarësohet në Asociacion, nëse Kuvendi i këtij organi e miraton një gjë të tillë.

Sa i përket strukturës organizative, Asociacioni parashihet të ketë Kuvend – që zgjidhet nga komunat anëtare – që është organi suprem i Asociacionit. Në të, çdo komunë do të kishte nga pesë përfaqësues. Po sipas këtij drafti, Asociacioni parashihet të ketë bord prej shtatë anëtarësh, dhe ky bord është organ ekzekutiv, i zgjedhur nga Kuvendi, institucion të cilit i raporton.

Kuvendi po ashtu zgjedh kryetarin e Asociacionit, ndërkaq po ashtu është paraparë të ketë Këshill të Asociacionit, si organ këshillues.

Gjithashtu është paraparë që Asociacioni ta ketë administratën e vet, e cila i raporton Bordit.

Draft-statusi i hartuar nga Ekipi Menaxhues, parasheh që Asociacioni t’i ketë simbolet, himnin, flamurin dhe stemën e vet.

Sa i përket kompetencave, në këtë dokument thuhet se Asociacioni mund të miratojë vendime e rregullore të Kuvendit, të mbikëqyrë zbatimin e ligjeve, të rregullojë zgjedhjet, të riorganizojë dhe bëjë funksionimin e organeve, të agjencive, ndërmarrjeve publike si dhe të bëjë mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave statistikore. Asociacioni po ashtu mund të propozojë mbajtjen e referendumeve dhe të shpallë të njëjtët me kërkesën e 10 për qind të votuesve që banojnë në komunat që janë pjesë e këtij organi.

Po ashtu, ai mund të vendosë për të marrë hua, të miratojë buxhetin vjetor, të themelojë agjenci, organizata, ndërmarrje dhe institucione publike financiare dhe fonde dhe të mbikëqyrë punën e tyre.

Në kuadër të kompetencave është paraparë që Asociacioni të mund të regjistrojë votuesit, të mbajë të dhëna për regjistrat e lindjeve, martesave dhe vdekjeve.

Sipas dokumentit të siguruar nga REL-i, Asociacioni parashihet të emërojë komandantin rajonal policorë për katër komunat në veri [Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok].

Ekipi Menaxhues po ashtu ka paraparë në draft-statut që Asociacioni të ketë status të entiteti juridik, që nënkupton se ka të drejtë të padisë dhe të paditet dhe të ketë në pronësi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.

Në draft-statut është paraparë edhe raporti që do të ketë Asociacioni me autoritetet qendrore. Marrëdhëniet do të jenë “të bazuara në parimet e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit të informacionit”, “duke promovuar interesat e komunitetit serb”. Asociacioni po ashtu parashihet të drejtë të propozojë ndryshime në ligje, si dhe të propozojë përfaqësues në organet dhe institucionet e organeve qendrore.

Ky organ po ashtu duhet të ketë buxhetin e vet dhe mund të gjenerojë të ardhura bazuar në pjesëmarrjen e komunave anëtare, nga shërbimet e ofruara, taksat dhe nga fondet e ndara nga buxheti i Serbisë.

Drafti parasheh që burimet natyrore që gjenden në territorin e komunave anëtare të Asociacionit, të menaxhohen nga Asociacioni, ashtu si edhe asetet me interes, si: tokat bujqësore, pyjet dhe ujërat tokësore.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 2 maj se anëtarët e Ekipit Menaxhues, që e kanë shkruar këtë statut, “qartazi” kanë dëshirë të krijojnë “një Republikë Sërpska” në Kosovë – referencë për entitetin me shumicë serbe në Bosnje e Hercegovinë që ka kompetenca që sfidojnë pushtetin qendror.

Draft-vizioni i Kurtit

Pas refuzimit që i bëri draft-statutit të Ekipit Menaxhues – ekip të cilin më pas tha se e shkarkoi – kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel më 2 maj paraqiti atë që e quajti draft-vizion për çështjen e rregullimit të komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë.

Në draft-vizionin e Kurtit nuk përmendet specifikisht Asociacioni, por ai thirret në nenin 7 të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Palët, më 27 shkurt në Bruksel arritën këtë marrëveshje, dhe më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

Ky nen i marrëveshjes kërkon që palët të sigurojnë “një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”. Vetëmenaxhimi, sipas BE-së – që ndërmjetëson dialogun – është referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në këtë marrëveshje, po ashtu në nenin 10 thuhet se palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe atë të Asocaicionit.

Kurti ka thënë se një draft-statut për Asociacionin duhet të plotësojë disa kushte. Ai në këtë kuadër ka theksuar se një organ i tillë duhet “ t’ua ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi”.

Në draft-vizionin e paraqitur nga kryeministri kosovar, parashihet – sikurse edhe në dokumentin e Ekipit Menaxhues – mundësia e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës si dhe të “njihen plotësisht karakteristikat kushtetuese” të Kosovës, duke respektuar pavarësinë dhe integritetin e saj territorial.

Kurti në draft-vizionin e tij ka parë që komuniteti serb të ketë kanal të drejtpërdrejt komunikimi me ekzekutivin në Prishtinë dhe të ketë mundësi që të financohet nga Kosova dhe shtetet e tjera, përfshirë edhe Serbinë. Megjithatë, të gjitha financimet, sipas dokumentit të Kurtit, duhet të kalojnë përmes procedurave dhe rregullave të Ministrisë së Financave të Kosovës.

Në draft-vizion thuhet se do të mund të themelohen asociacione në fushën e kulturës, artit, shkencës dhe arsimit, si dhe asociacione të natyrave të ndryshme për “shprehjen, ushqyerjen dhe zhvillimin e identitetit serb”, bazuar në ligjet aktuale për ushtrimin e shërbimeve jofitimprurëse.

Kurti ka deklaruar se është i gatshëm që ta thellojë këtë draft-vizion, por ai ka thënë se palët duhet të pajtohen për parimet e Asociacionit.

Kurti insiston që një asociacion të mos e cenojë funksionalitetin e Kosovës dhe të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015, e cila gjeti që Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit – që Prishtina dhe Beogradi arritën më 2015 – nuk ishte plotësisht në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit, por që këto mospërputhje, sipas Kushtetueses, mund të harmonizohen me akte ligjore.

Draft-statuti i Ramës

Në 8 qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi opinionin se një ditë më herët i kishte dërguar presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, një draft-statut për Asociacionin.

Rama tha se për këtë dokument ka vënë “në dijeni edhe palën amerikane”.

Kryeministri i Shqipërisë tha se dokumenti është konfidencial.

Megjithatë, ai tha se është i bindur se ky draft-statut është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Ky draft-statut, sipas Ramës, është hartuar nga ekspertë të pavarur dhe se ai vetë ka dhënë kontribut në të. Megjithatë, kryeministri shqiptar e pranoi se për këtë dokument nuk është konsultuar me homologun e tij kosovar.

Rama po ashtu tha se është i shqetësuar për situatën në të cilën ndodhet Kosova dhe ai nuk dëshiron që situata të përkeqësohet edhe më tej apo të vendosen sanksione ndaj Prishtinës.

“Për mua është i pakuptimtë pozicioni i Kosovës, se Serbia bën atë që ka bërë herë tjera. Palët nuk po merren vesh kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më se si duhet hartuar”, shtoi Rama.

Draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga FES

Në fund të janarit të këtij viti, organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), publikoi një draft-statut për themelimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës, ashtu siç insiston edhe Qeveria e kryeministrit Kurti.

I përbërë nga shtatë kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut i hartuar nga FES, parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të Asociacionit, përfshirë simbolet.

Sipas FES, Asociacioni mund të ushtrojë edhe kompetenca shtesë, të cilat mund të delegohen nga autoritetet qendrore të Kosovës.

Sa i përket strukturës, ky draft-statut ka paraparë që Asociacioni të ketë: Kuvendin, kryetarin, nënkryetarin, Këshillin dhe Bordin e Asociacionit.

FES ka paraparë disa objektiva të këtij organi, sikurse forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimin e interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.

Sikurse edhe draft-statuti i hartuar nga Ekipi Menaxhues, edhe dokumenti i FES-it parasheh që Asociacioni të ketë statusin e subjektit juridik, të cilin thuhet se duhet t’ia japë Qeveria e Kosovës përmes një akti juridik.

Sipas dokumentit në organizatës gjermane, Asociacioni do të financohet nga kontributet e anëtarëve të tij, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Republikën e Serbisë.

Ndërkaq, sa i përket buxhetit, në këtë draft-statut është paraparë që Asociacioni të financohet nga kontributet e komunave pjesëmarrëse, nga të ardhurat e shërbimeve që ofron ky organ, pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme, trasferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e organizata vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Serbinë.

Gjatë rishikimit të buxhetit, sipas dokumentit, Qeveria e Kosovës dhe Auditori i Përgjithshëm mund të kenë qasje. Auditori po ashtu është paraparë të bëjë kontrollet për shpenzimet e këtij organi.

Sipas draft-statutit të FES-it, Asociacioni do të përjashtohet nga detyrimet dhe taksat në arritjen e objektivave të tij, në të njëjtën mënyrë sikurse komunat pjesëmarrëse.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kërkojnë nga Qeveria e kryeministrit Kurti që të themelojë Asociacionin. Blloku evropian ka thënë se i ka ofruar Kosovës disa modele ekzistuese evropiane për të drejtat e pakicave kombëtare. Ndërkaq, SHBA-ja ka përsëritur disa herë se nuk përkrah një asociacion që do të krijonte “shtet brenda shtetit”.

Së fundi, Qeveria e Kosovës ka thënë se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img