7.9 C
Pristina
Monday, March 10, 2025

Buy now

spot_img

Rutte nesër në Kosovë – takohet me Osmanin, çka pritet të ndodhë?

Nesër do të mbërrijë në Kosovë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Mësohet se Presidentja Vjosa Osmani, rreth orës 13:45 pret në takim Mark Rutten. Kështu së paku ka bërë të ditur presidenca.

Pas takimit, Osmani dhe Rutte do të mbajnë konferencë për media.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Mark Rutte, pritet ta shfrytëzojë vizitën e tij në Prishtinë, për të ofruar garanci se kontingjenti evropian brenda misionit të aleancës në Kosovë, KFOR, do të mbetet aty, pavarësisht ndonjë lëvizjeje të forcave ushtarake amerikane.

Kështu thotë Ivan Vejvoda, hulumtues në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë, sipas të cilit vizita e Mark Ruttes në Kosovë tani është shumë e rëndësishme, duke marrë parasysh situatën gjeopolitike, administratën e re amerikane, vazhdimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe “thashethemet – të bazuara ose jo – që Shtetet e Bashkuara janë duke rishqyrtuar pozicionin e tyre në NATO”.

Shto këtu edhe “faktin që, siç thonë amerikanët, ka ende punë të pakryera në Ballkan”, shprehet Vejvoda në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.

Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të SHBA-së në Evropë ka nisur të qarkullojë prej deklaratave që ka bërë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë, teksa u ka bërë thirrje evropianëve që t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje.

Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje që evropianët të paguajnë më shumë në këtë sektor, duke ngritur dilema nëse ata do të ishin tani në gjendje të mbronin SHBA-në, siç e kërkon Neni 5 i NATO-s.

SHBA-ja i ka rreth 100.000 trupa në Evropë, ndërsa prej tyre 600 janë të vendosura në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, që në total i ka rreth 4.600 pjesëtarë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka thënë ditë më parë Radios Evropa e Lirë se tani për tani nuk ka ndonjë ndryshim të planifikuar sa i përket pozicionimit të forcave të tyre.

As Vejvoda nuk beson se trupat amerikane mund të largohen nga Kosova, të paktën në gjashtë muajt e ardhshëm. Ai mendon se KFOR-i do të funksiononte në mënyrë stabile edhe pa prezencën amerikane.

Vetë shefi i NATO-s, Rutte, ka thënë ditë më parë se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore, dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.

Vizita e Ruttes në Kosovë zhvillohet pas asaj që ai bëri në Bosnje e Hercegovinë, më 10 mars, ku dha mesazhin që aleanca nuk do të lejojë që “të rrezikohet paqja e fituar me shumë vështirësi”.

“Nuk jemi në vitin 1992 dhe nuk do të lejojmë krijimin e ndonjë vakumi sigurie. E di që EUFOR-i [Forca e Bashkimit Evropian] është plotësisht i përgatitur për të garantuar ambient stabil të sigurisë”, ka thënë Rutte, duke iu referuar periudhës së shpërthimit të luftës në këtë shtet.

Ai ka deklaruar, po ashtu, se NATO-ja mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës, dhe që Marrëveshja e Dejtonit – e cila u ka dhënë fund luftimeve më 1995 – është themeli që duhet të respektohet.

Më 7 mars, EUFOR ka bërë të ditur se do të rrisë përkohësisht numrin e pjesëtarëve që ka, si masë parandaluese, pas rritjes së tensioneve në këtë shtet.

Forca e BE-së i ka rreth 1.000 pjesëtarë në këtë shtet dhe e ka zëvendësuar misionin e NATO-s, SFOR, prej vitit 2004.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img