1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Rusia vazhdon të rrisë numrin e diplomatëve në Serbi

Rusia vazhdoi të rrisë numrin e diplomatëve të saj në Serbi, vendi i rrallë evropian që nuk vendosi sanksione ndaj Kremlinit dhe një nga të paktët në Evropë që nuk kërkoi reduktim të fushëveprimit të misionit rus pas pushtimit të Ukrainës.

Lista diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme tregon se dy diplomatë të tjerë rusë kanë mbërritur në Serbi gjatë muajit mars.

Në fillim të marsit, misioni i Rusisë në Serbi kishte 62 diplomatë, ndërkaq më 31 mars ishin 64 të tillë.

Në fillim të marsit, Radio Evropa e Lirë (REL) njoftoi se Rusia, një vit pas pushtimit në Ukrainë, kishte rritur praninë e saj diplomatike në Serbi, pas valës së dëbimeve të diplomatëve nga BE-ja vitin e kaluar.

Me dy ardhjet e reja në mars, numri i diplomatëve rusë në Serbi, që nga shkurti i vitit të kaluar, ka shënuar dhjetë më shumë.

Hulumtimi, në fillim të marsit, tregoi gjithashtu se të paktën tre diplomatë të dëbuar, tani janë përfaqësues të akredituar rusë në Serbi, duke përfshirë dy prej tyre që kanë lidhje me shërbimet e inteligjencës ruse.

Sipas listës së fundit të publikuar nga Ministria e Jashtme, nga 31 marsi, ata ende janë të pranishëm në misionin rus në Beograd.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me ngritjen e re të numrit të diplomatëve.

Pyetjeve nuk u janë përgjigjur as Qeveria e Serbisë dhe as Ambasada ruse në Serbi.
Nikolla Lluniq, ish-diplomat ushtarak i Serbisë, i cili tani kryeson Këshillin joqeveritar për Politikat Strategjike me qendër në Beograd, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se injorimi i rritjes së numrit të diplomatëve rusë, sigurisht që do të shkaktojë mosbesim në vendet në rajon dhe në Evropë.

“Por, edhe do të rrisë rrezikun e sigurisë, gjë që Serbisë nuk i nevojitet në këtë moment”, shtoi Lluniq.

Dy atashe të rinj

Gjatë muajit mars, siç shihet nga lista diplomatike që evidentohet nga Serbia, janë akredituar dy atashetë e rinj në ambasadën ruse, Vladimir Surov dhe Roman Shelkovskiy.

Ambasada ruse dhe autoritetet në Serbi nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it për punët e mëparshme të Surovit dhe Shelkovskiyt.

Nga të dhënat e qasshme publike, mund të shihet se Vladimir Surov ishte pjesë e misionit të përhershëm të Rusisë në Kombet e Bashkuara në vitin 2006 dhe 2009.

Emri i Surovit ishte gjithashtu në listën e misionit rus në Kopenhagë, në vitin 2015.
Emri i Roman Shelkovskiyt ishte i renditur në listën diplomatike të Italisë, në vitin 2021, por në mars të vitit 2022 nuk ishte më aty.

Në prill të vitit 2022, Italia dëboi 30 diplomatë rusë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Nuk dihet saktësisht se kur Shelkovskiy u largua nga Italia apo vendndodhja e tij para se të mbërrinte në Serbi.

Dëbimi i diplomatëve

Pas pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, qindra diplomatë rusë u dëbuan nga vendet evropiane ose u futën në “listë të zezë”.

Si arsye për dëbim, disa vende përmendën spiunazhin e supozuar.

Radio Evropa e Lirë ka vërtetuar më herët se të paktën një diplomat rus i dëbuar, i lidhur me njësinë e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) dhe i akuzuar për sulme kibernetike që synonin sektorin e energjisë amerikane, është dërguar në Beograd, ndërsa një tjetër është i lidhur me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme Ruse.

Disa vende i dëbuan diplomatët rusë edhe para pushtimit të Ukrainës.
Në mars të vitit 2018, Mbretëria e Bashkuar dëboi 23 diplomatë rusë, si përgjigje për sulmin me agjent nervor ndaj ish-agjentit rus Sergei Skripal.

Kryeministrja e asaj kohe, Theresa May, tha për diplomatët rusë të dëbuar se ishin spiunë që vepronin nën mbrojtjen diplomatike.

Yulia Skripal dhe babai i saj Sergei, një ish-agjent rus dhe britanik, për disa javë ishin në gjendje kritike në spital, pasi u helmuan me agjentin nervor Novichok, në mars të vitit 2018.

Diplomatët rusë, në disa raste, gjithashtu u dëbuan edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nikolla Lluniq shpjegon se, në përputhje me detyrimet nga Konventa e Vjenës, Serbia nuk është e obliguar të pranojë diplomatët rusë të dëbuar nga Perëndimi.

“Ministria kompetente mundet në çdo kohë dhe pa asnjë detyrim për shpjegim, ta informojë misionin rus se një anëtar i caktuar i misionit diplomatik është i papranueshëm, pra i padëshirueshëm”, thotë Lluniq.

“Mungesa e reagimit mund të interpretohet lehtësisht në Perëndim si mbështetje diplomatike dhe inteligjente nga Beogradi, për aktivitetet hibride ruse në rajon”, thekson Lluniq në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Sanksionet, varësia nga energjia, aferat e spiunazhit

Serbia aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ndërkohë që autoritetet përpiqen të mbajnë marrëdhënie të mira me Rusinë.

Beogradi zyrtar refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht kërkesave nga zyrtarët e shumtë nga Perëndimi.

InfografikëSi iu përgjigj Ballkani Perëndimor pushtimit rus në Ukrainë?
Kremlini zyrtar mbështet Serbinë në bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Ndërkaq, Serbia është ende e varur nga gazi rus.

Në komentin e tij për REL-in, Nikolla Lluniq vlerëson gjithashtu se nëse Rusia përmirëson aftësitë e saj të inteligjencës në misionin diplomatik në Beograd, kjo do ta distancojë Serbinë edhe nga BE-ja, por edhe nga NATO-ja, në të cilën Serbia nuk e aspiron anëtarësimin tash për tash.

“Nuk duhet të habitemi nëse ata përdorin në mënyrë makiaveliste të gjitha mjetet për të arritur qëllimet e tyre (ruse)”, shtoi Lluniq.

Ai, po ashtu, tha se për shërbimet serbe të sigurisë, prioritet duhet të jetë që misionet diplomatike të të gjitha vendeve në Beograd të jenë të sigurta.

Ambasada ruse në Beograd ka qenë e përfshirë edhe më parë në një aferë spiunazhi.

Në nëntor të vitit 2019, Qeveria e Serbisë njoftoi se kishte zbuluar një rrjet të spiunazhit rus të lidhur me ambasadën, gjë që e shtyri presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të thërriste ambasadorin rus për të biseduar.

Vuçiq, megjithatë, më vonë e minimizoi intensitetin e incidentit.

Duke iu drejtuar mediave, asokohe ai tha se Serbia nuk do ta ndryshojë politikën ndaj Rusisë dhe se e sheh atë si një vend mik.

Vuçiq më pas tha se autoritetet në Serbi do ta “mbrojnë dhe ruajnë” vendin në aspektin e inteligjencës./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img