1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Rusia po e shfrytëzon Serbinë për të ndërhyrë në Kosovë e Mal të Zi, thotë PE-ja

Komiteti i Posaçëm për Ndërhyrjet e Huaja i Parlamentit Evropian, tha të mërkurën se Rusia shfrytëzon ndikimin e saj në Serbi në përpjekje për të ndërhyrë në shtetet fqinje dhe të ndikojë negativisht në orientimin euroatlantik të rajonit.

Kjo ndërhyrjes sipas raportit ushtrohet “në Bosnje nëpërmjet Republikës Serbe, në Mal të Zi duke shfrytëzuar ndjenjat pro serbe si dhe Kishën Ortodokse serbe dhe në Kosovë duke shfrytëzuar dhe nxitur mosmarrëveshjet ekzistuese në veriun e Kosovës”, raporton Zëri i Amerikës.

Rusia, thuhet më tej, ka ende ndikim të dukshëm në Ballkanin Perëndimor, me fuqinë për të ndërhyrë në përpjekjet rajonale për pajtim, integrim dhe reforma drejt demokratizimit.

Në raportin që u mbështet nga 27 përfaqësues në Komisionin për Ndërhyrjet e Huaja, ndërsa pati një votë kundër dhe një abstenim, thuhet mes tjerash se përpjekjet ruse për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor, duhet parë si pjesë e një strategjie më të gjerë për të promovuar autoritarizmin në Evropë.

Në raport thuhet se mesazhi pro-rus përhapet përmes mediave në pronësi serbe dhe hungareze në Ballkanin Perëndimor, ndërsa shprehet shqetësimi me “gjetjet e fundit se Serbia është vendi më i cenueshëm ndaj ndikimit të huaj negativ në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht nga Rusia dhe Kina, dhe se Serbia ende nuk ka zbatuar sanksionet kundër Rusisë dhe nuk është harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”.

Në kundërshtim të qartë me sanksionet perëndimore, Serbia, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është bërë një strehë e sigurt për disa kompani ruse që kërkojnë të shmangin sanksionet e vendosura nga BE-ja, thuhet në raport në cilin theksohet se që nga korriku i vitit 2022 zyrat e RT (ish Russia Today) janë hapur në Beograd dhe ka nisur shërbimin e lajmeve në internet edhe në serbisht.

Komiteti “dënon veçanërisht ashpër hapjen e një zyre të RT-së në Beograd dhe hapjen e shërbimit të saj të lajmeve në internet në serbisht, duke lejuar kështu këtë aktor malinj të përhapë dezinformatat e tij në të gjithë rajonin”, ndërsa kërkon, që “autoritetet serbe që të harmonizohen me vendimin e Këshillit Evropian për pezullimin e veprimtarive të transmetimit” të mediave ruse Sputnik dhe RT.

Raporti vë re se Ballkani Perëndimor është një zonë e konkurrencës strategjike dhe gjeopolitike dhe disa nga vendet e tij janë të prira drejt destabilizimit, duke kërcënuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e kontinentit. Vendet e treta thuhet më tej “po i shfrytëzojnë këto dobësi, duke përfshirë investimet strategjike dhe fushatat dezinformuese, duke pasur parasysh se siguria dhe qëndrueshmëria demokratike e vendeve që synojnë anëtarësimin në BE janë të lidhura ngushtë me sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë demokratike të vetë Bashkimit Evropian”.

Serbia është vendi i vetëm evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Ndonëse synon integrimin në BE, ajo ruan lidhje të ngushta me Rusinë, në radhë të parë për shkak mbështetjes së Kremlinit për refuzimin e Beogradit që të njohë pavarësinë e Kosovës.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img