-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

“Rusia mund të na fikë dritat”, shteti që i frikësohet Putinit në prag të dimrit

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar shqetësim të madh në mbarë botën. Aleatët historikë të Rusisë, siç është Kina, i bëjnë thirrje Vladimir Putinit që t’i japë fund konfliktit. Tensioni me Bashkimin Evropian, si dhe me vendet anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), vazhdon të rritet, aq më tepër kur Putin kërcënon të shtypë butonin bërthamor përballë ofensivës së suksesshme ukrainase, e cila tani kërkon të rimarrë Donbasin.

Por, dimri që po afron vë në gatishmëri vendet evropiane, të cilat kanë frikë nga një ndërprerje totale e furnizimeve ruse, pasi rrjedha e gazit përmes Nord Stream është ndërprerë plotësisht, derisa Perëndimi të heqë sanksionet, diçka që nuk ka shenja se po ndodh.

Vendet baltike, ndër më armiqësoret në BE kundër Rusisë, ishin të parat që ndërprenë vullnetarisht gazin rus. Por, tani Estonia ka frikë se presidenti Vladimir Putin mund të shkojë një hap më tej, duke i fikur dritat. Kryeministrja e vendit, Kaja Kallas, u tha qytetarëve të saj se ndërprerjet e energjisë elektrike janë të mundshme nëse Rusia i largon nga rrjeti i energjisë që ata ndajnë me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, ajo raportoi një stërvitje të menjëhershme përgatitore të mbrojtjes ushtarake për rezervistët estonezë.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për mundësinë që Rusia të mund të shkëpusë Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë nga rrjeti elektrik”, tha kryeministrja në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të qeverisë.

Kallas, në mesazhin e saj drejtuar popullatës, shprehet se “do të ishte mirë të përgatiteshim për ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike, që përfshin autoritetet publike, kompanitë dhe të gjithë individët. Gjithashtu, rreth 3000 rezervistë janë thirrur për një stërvitje vjetore të mbrojtjes për një javë”.

Megjithatë, kryeministrja thekson se nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm ushtarak: “I siguroj të gjithë se kufiri midis Estonisë dhe Rusisë është i mbrojtur. Estonia mbylli kufirin për turistët rusë që më 19 shtator. Ishte vendimi i duhur në kohën e duhur”.

Paralelisht, Kallas u bën thirrje qytetarëve rusë që jetojnë në Estoni të injorojnë thirrjen e Vladimir Putinit për të luftuar në Ukrainë: “Nëse dikush po mendon të bashkohet me forcat ruse, mesazhi im është i qartë: mos shkoni, sepse nuk ka kthim prapa. Kushdo që ngre një armë kundër një kombi të lirë, një Ukrainë të lirë, ngre një armë kundër Estonisë”.

Edhe pse Estonia u shkëput nga Bashkimi Sovjetik me rënien e tij 30 vjet më parë dhe kanë kaluar 17 vjet nga anëtarësimi në BE, shtetet baltike varen ende nga Rusia për furnizimet me energji. Objektivi është që përmes një projekti prej 1,6 miliardë eurosh të financuar nga BE-ja, t’i shkëpusë ato nga rrjeti i tyre elektrik i përbashkët me Rusinë dhe Bjellorusinë në vitin 2025, nëpërmjet një sistemi të decentralizuar energjetik të Evropës kontinentale./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img