Site icon PrishtinaPress

Rusia kushtëzon marrëveshjen për drithërat me heqjen e sanksioneve

Rusia tha se do të ishte “e papërshtatshme” që të zgjatet marrëveshja për drithërat në Detin e Zi, nëse nuk hiqen sanksionet që prekin eksportet e saj të agrikulturës si dhe të zgjidhen çështje të tjera.

Nisma për drithërat në Detin e Zi, e nënshkruar nga Rusia dhe Ukraina korrikun e kaluar, krijoi një korridor të sigurt përmes së cilit u mundësua eksporti i drithërave nga portet ukrainase, që ishin të bllokuara për shkak të luftës.

Marrëveshja, që u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, u zgjat edhe për 120 ditë në nëntorin e kaluar dhe pritet që muajin e ardhshëm sërish të diskutohet për një zgjatje tjetër. Por, Rusia ka sinjalizuar se është e pakënaqur me disa aspekte të marrëveshjes dhe ka kërkuar që sanksionet, që prekin eksportet e agrikulturës, të hiqen.

“Qëndrimi ynë për vazhdimin e mëtejmë të Nismës për Detin e Zi vazhdon të jetë i njëjtë”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Vershinin.

“Pa rezultate të prekshme në zbatimin e memorandumit Rusi-OKB, mbi të gjitha heqja e sanksioneve dhe kufizimeve ndaj eksporteve të agrikulturës ruse…. zgjatja e dokumentit ukrainas është e papranueshme”, theksoi ai.

Eksportet e agrikulturës nuk janë cak vetëm i sanksioneve perëndimore, por Moska tha se bllokadat në pagesa, logjistikë dhe fusha të tjera “janë barriera”, që i pamundësojnë asaj të eksportojë drithëra dhe plehrave artificiale.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe që atëherë është përballur me sanksione nga shtetet perëndimore./REL

Exit mobile version