-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Rusia e ka humbur busullën, pse vendi po shkon drejt luftës civile?

Vëmendja e luftës Rusi-Ukrainë është zhvendosur në Novaya Tavolzhanka në këto orë, një qytet me pak më shumë se 5 mijë banorë, i cili tashmë është bërë epiqendra e përleshjeve përgjatë kufirit mes dy vendeve.

Qyteti ndodhet përtej kufirit rus, disa kilometra nga Sebekino. Këtu, luftëtarët pro-Kiev-it thuhet se po bëjnë përparime të shpejta, ndonëse kundërshtohen nga rusët. Këtë e demonstroi edhe një video, e publikuar të dielën në Telegram, nga Korpusi Vullnetar Rus, formacioni rus anti-Putin ndër më të angazhuarit në sulmet ndërkufitare. Aty shihet një ushtar i plagosur rus i mbuluar nga një batanije. Në krah të tij disa milici të cilët kanë kërkuar, në këmbim të lirimit të dy ushtarëve rusë të kapur, një takim me guvernatorin e rajonit të Belgorodit, Vyacheslav Gladkov. Kjo situatë përshkruan më së miri rrjedhën e çuditshme dhe drejtimin e paditur që ka marrë lufta në Ukrainë.

Sulmet e Ukrainës

Që nga e diela pasdite, kanë qarkulluar një sërë videosh dhe imazhesh që tregojnë përleshje në rrugë. Këtë herë, megjithatë, jo në qytete ukrainase, por rusë. Luftimet e orëve të fundit kanë lejuar milicët pro-Kievit të përparojnë me disa kilometra. Autoritetet lokale kanë ftuar qytetarët të evakuojnë zonën, burimet ruse kanë folur për të paktën 4000 njerëz të strehuar tashmë në zona më të sigurta të rajonit të Belgorodit. Novaya Tavolzhanka është kthyer kështu në një qytet fantazmë.Situata për momentin është konfuze: rusët po përpiqen të sulmojnë milicët pro-ukrainas, por një pjesë e Novaya Tavolzhanka nuk është në kontrollin e Moskës.  Situatën e ndërlikuar për rusët, e ka treguar edhe videoja me të burgosurit rusë. Milicët pro-Kievit, në këmbim të lirimit të ushtarëve të Moskës, kanë kërkuar një takim me guvernatorin Gladkov brenda kishës së qytetit.  Në fillim Gladkov ishte pajtuar për takimin. Megjithatë, ai nuk u zhvillua kurrë. Të dielën vonë në mbrëmje, ishin vetë luftëtarët pro-ukrainas ata që njoftuan rezultatin negativ të negociatave. “Më duket e kotë të flasësh me ta, janë frikacakë”, thuhet në një mesazh Telegram të milicëve. Në të njëjtin mesazh, u njoftua dorëzimi i të burgosurve rusë në duart e ukrainasve.

Robërit rusë

Inkursionet ukrainase në Belgorod mund të përfaqësojnë një devijim që synon të detyrojë rusët të dërgojnë përforcime në rajon, para kundërofensivës ukrainase. Megjithatë, ka patur menjëherë reagime. Wagner, kompania private e Prigozhin, e angazhuar së fundmi në Bakhmut, ka bërë të ditur se janë gati të nisen drejt Belgorodit dhe të udhëheqin kundërsulmin kundër milicive pro-Kievit. Ai ka sulmuar ashpër ministrin e mbrojtjes të Rusisë Sergei Shoigu dhe shefin e ushtrisë Valery Gerasimov, duke i tallur dhe duke i nxitur që të shkojnë në vijën e frontit dhe të shohin dështimet e tyre. Sulmet e fundit të Prigozhin erdhën pak pasi mercenarët e tij kapën rob një nënkolonel nga forcat e Vladimir Putinit. Në një video të publikuar prej tyre, shihet koloneli teksa rrëfen fajin e tij. Ai thotë se ka qenë i dehur në detyrë dhe ka qëlluar ndaj një makine të grupit Wagner. Ushtari e identifikoi veten si Roman Venevitin, komandant i Brigadës 72 të Rusisë. Wagner njihet për ndëshkimet e rrepta ndaj “tradhtarëve”, por në këtë rast nuk ka asnjë sugjerim që koloneli rus do të përballet me të njëjtën masë.

Lufta civile

Një ekzekutim i një komandanti të lartë rus nga forcat Wagner do të shkaktonte kaos të paparë në Moskës. Rasti tregon edhe një herë përçarjen brenda forcave të Kremlinit që luftojnë kundër Ukrainës dhe disa analistë e shohin luftën civile si një mundësi reale në Rusi nëse Putini humbet luftën. Wagner është një nga disa ushtri private në Rusi. Pavarësisht humbjeve të mëdha dhe ndalimit të rekrutimit të të burgosurve nga kolonitë penale të Rusisë, Prigozhin ende mendohet se ka deri në 60,000 burra në dispozicion të tij.Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov kontrollon po ashtu një grup të tij të armatosur rëndë dhe gjigandi rus i energjisë Gazprom ka krijuar kompaninë e tij private ushtarake. Ndaj, nuk do të ishte çudi që në një Rusi kaq të përçarë, lufta kundër Ukrainës, të kthehet në një luftë kundër njëri-tjetrit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img