Site icon PrishtinaPress

Rusia dhe Kina dy vendet mike të Serbisë, janë aktorët kryesorë në përhapjen e dezinformatave: Nga këto shtete pati ndërhyrje edhe në Kosovë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë e përbashkët, Joseph Borrell, propozoi masa për të luftuar dezinformimin.

Raporti për masat kundër dezinformatave është përgatitur para fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet evropiane, të cilat do të mbahen në qershor.

Rreth 400 milionë votues do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në institucionet evropiane në fund të pranverës.

Si rezultat i këtyre zgjedhjeve do të formohet një strukturë e re e anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe do të zgjidhen drejtuesit e institucioneve si Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm.

Fushata ruse e dezinformimit është në shkallë industriale

“Ka bomba që mund të vrasin, helme që mund të të helmojnë. Por si të përballesh me manipulimin dhe ndërhyrjen në terren është gjithashtu një sfidë e madhe,” theksoi Borrell.

Rusia, siç vlerësoi ai, prej vitesh është përfshirë në një fushatë dezinformimi në mënyrë të sofistikuar dhe në shkallë industriale.

“Ne jemi të ndjeshëm ndaj këtij kërcënimi sepse informacioni dhe dezinformata përhapen me shpejtësinë e dritës,” tha ai.

Rusia dhe Kina janë aktorët kryesorë në përhapjen e dezinformatave

Raporti përmend Rusinë dhe Kinën si aktorët kryesorë manipulues.

Theksohet se këto dy vende manipulojnë qëllimisht narrativën publike në kanale dhe platforma të shumta.

Sipas këtij raporti, motivet e këtyre dy faktorëve variojnë nga destabilizimi dhe ndarja e shoqërive, deri te minimi i institucioneve demokratike apo thjesht për përfitime ekonomike.

Raporti u përgatit në bazë të 750 të ashtuquajturave incidente midis dhjetorit 2022 dhe nëntorit 2023.

Sipas gjetjeve të ekspertëve, rreth 59 individë ishin objektiv i incidenteve, duke filluar nga politikanët, si presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidenti francez Emmanuel Macron dhe vetë Borrell.

Mes “viktimave” ishin aktorë, si Nicolas Cage dhe Margot Robbie.

Gjithashtu, 30 për qind e sulmeve janë organizuar kundër 140 organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Rrjetet si Telegram dhe X janë përdorur më së shumti për ndërhyrje të huaja.

Megjithatë, ai thekson se kjo përzierje është vërejtur pothuajse në të gjitha platformat e tjera kryesore dhe në zhvillim, dhe koordinimi ndër-platformë ishte metoda e paracaktuar e përdorur nga aktorët keqdashës.

Serbia ishte cak i ndërhyrjes së huaj

Raporti përmend se objektivat e ndërhyrjes së huaj janë “globale”.

Në 49 për qind të rasteve të analizuara, vendet ose përfaqësuesit e tyre zyrtarë në mbarë botën janë shënjestruar drejtpërdrejt 480 herë.

Objektivi më i zakonshëm ishte Ukraina, me 160 raste të regjistruara.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shënjestruar 58 herë në këto raste. Pasojnë Polonia, Gjermania, Franca dhe Serbia.

Nga vendet e tjera të rajonit përmenden Mali i Zi dhe Kosova, në kontekstin e ndërhyrjeve të huaja gjatë procesit zgjedhor.

Në lidhje me këtë, përmenden zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, të cilat u mbajtën vitin e kaluar, si dhe zgjedhjet lokale në Kosovë, të mbajtura po ashtu në vitin 2023. /AntenaM

Exit mobile version