Kombëtarja e Rumanisë ka shënuar fitore bindëse ndaj Ukrainës.
Edhe pse ishte pritur që të ishte ndeshje mjaftë e barabartë, rumunët triumfuan me rezultat të thellë 3:0.
Nicolae Stanciu me një eurogol nga distanca i dha epërsinë Rumanisë (29’).
I njëjti ishte afër të shënonte ndoshta golin e karrierës, duke tentuar nga rivendja këndore, megjithatë traversa e shpëtoi Lunin.
Rumania vazhdoi me të njëjtin ritëm edhe në pjesën e dytë, për të shënuar edhe dy herë për pikët e plota.
Fillimisht Razvan Marin shënoi një supergol nga distanca, ku lunin bëri një ndërhyrje të dobët (53’).
Ndërsa, vetëm katër minuta më vonë Denis Dragus shënoi nga afërsia për ta vulosur fitoren pas një asistimi të Dennis Man (57’).
Rasti i vetëm i Ukrainës që vlen të ceket ishte i Mykhailo Mudryk, por ky i fundit gjuajti mbi traversë.
Kësisoj, Rumania bëhet lider në grupin E me tre pikë, derisa Ukraina renditet në fund pa pikë. Në këtë grup gjenden edhe Belgjika dhe Sllovakia.