Site icon PrishtinaPress

​Rukiqi: Thellimi i deficitit tregtar në vlera rekord, një tjetër dështim i kësaj qeverie

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) po konsiderohet problematik thellimi i deficitit tregtar përgjatë dy viteve nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

Nga kjo parti thonë se tashmë edhe Serbia është shndërruar në partnerin kryesor tregtar të Kosovës, ndryshe nga sa ishte thënë nga Albin Kurti para se të vinte në pushtet kur kishte premtuar të kundërtën.

Berat Rukiqi nga LDK shprehet se përkundër se kjo qeveri kishte premtuar rritje të prodhimeve vendore për t’i zëvendësuar produktet e importuara, ai thekson se në këto dy vite të kësaj udhëheqje nuk janë parë politika apo vendime në këtë drejtim.

Sipas Rukiqit, gjatë kësaj kohe, deficiti tregtar është rritur për 2 miliardë euro.

“Ne e shohim si problematike këtë thellimin e deficitit tregtar, Kosova ka pasur deficit tregtar por asnjëherë në nivelin që e kemi tani sidomos duke e ditur se kemi një qeveria që ka ardhur me premtime që do të fokusohet në rritje të prodhimit vendor në zëvendësim të importeve dhe politikave të cilët në funksion të zvogëlimit të deficit tregtar. Çka po shohim këto dy vite, po i shohim 2 miliardë më shumë deficit tregtar në një kohë kur sidomos ka në segmente të caktuara të qeverisë tendencë për të interpretuar shifra të rritjes së eksportit apo rritjes ekonomike që ne po i shohim se nuk kanë prodhuar ndonjë efekt në atë pasqyrën e gjerë ekonomike të vendit dhe për neve është shqetësuese, sidomos nëse vazhdimisht shohim mosveprime apo realisht shohim neglizhencë, pak vendime, pak politika ose më mirë me thënë hiç politika e mos të flasin për ndonjë reformë qoftë përmbajtjesore ekonomike”, tha ai.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi u shpreh se përkundër pritshmërive edhe në qeverisjen Kurti, Serbia vazhdon të mbetet partneri kryesor tregtar më i madh në vend.

Ai deklaroi se trendi i tremujorit të parë të importeve nga Serbia të lë të kuptosh se deri në fund të këtij vitit importet nga fqinji verior do të kalojnë shifrën e 400 milionë eurove.

Rukiqi tregoi edhe disa nga politikat që duhet ndjekur ekzekutivi kosovar për të ulur deficitin tregtar.

Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi ka pasur kritika ndaj Qevrisë Kurti duke e quajtur të paaftë për të gjetur zgjidhje për krizat e njëpasnjëshme dhe që po vështirëson jetën e qytetarëve./PrishtinaPress/

Exit mobile version