1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Rukiqi: Qeveria e ka ngufatur ekonominë, s’ka investime kapitale

Mungesa e investimeve kapitale dhe joefikasiteti në ekzekutimin e investimeve kapitale të qeverisë po krijon probleme të mëdha në tërë ekonominë e vendi.

Kështu vlerëson anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi. Sipas ish-kreut të Odës Ekonomike të Kosovës, me këtë qasje të ekzekutivit nuk po ndikohet vetëm pjesa publike, por edhe pjesa e sektorit privat.

Rukiqi ka deklaruar se Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti, nuk e ka as edhe një projekt të vetëm që të ketë ndikim në ekonominë e vendit.

“Efekti multiplikues i investimeve kapitale, në rritjen ekonomike të vendit, është më i madh sesa secili komponent tjetër, që e përbën rritjen ekonomike të vendit dhe me këtë qeveria po i kontribuon edhe asaj që na është shfaqur në raportet e institucioneve ndërkombëtare, sa i përket rritjes ekonomike. Kosova do ta ketë rritjen ekonomike më të ulët në periudhën e pasluftës, si pasojë e kësaj paaftësie të qeverisë për ta ekzekutuar së paku një projekt të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Nuk po flasim për një numër të madh të projekteve, por që së paku ta kemi një shembull të një projekti i cili ka impakt në tërë ekonominë e vendit. Nuk kemi projekte të tilla, as në infrastrukturë, as në energji dhe as në përkrahje të biznesit, përkundrazi kemi një rritje të pakënaqësisë së bizneseve, me burokracinë në nivelin e qeverisë, gjë që ndikon më pas edhe në investimet private. Nuk po na bëhet problem vetëm në investimet publike por edhe në ato private”, deklaroi Rukiqi.

Sipas anëtarit të LDK-së, Qeveria Kurti s’po bën politikë ekonomike, e kjo gjendje sipas tij është ngufatje e ekonomisë.

“Kjo nuk është politikë ekonomike, kjo është realisht ngufatje e ekonomisë, sidomos me këtë shkallë të ulët të investimeve kapitale. Mos të harrojmë që ato mjete janë të qytetarëve të vendit, të bizneseve dhe ata presin t’ju kthehen me politika të mira të qeverisë, përmes buxhetit dhe përmes projekteve. Ne këto projekte nuk po i shohim”, shtoi Rukiqi, ish-kreu i OEK-së

Sipas Rukiqit, pakot e shpërndara nga Qeveria e Kosovës, nuk kanë pasur asnjë efekt në ekonominë e vendit.

Ai shtoi se sektori privat është i dekurajuar nga qasja dhe neglizhenca e qeverisë në raport me sfidat, të cilat i kanë ata.

“Çdo ditë kemi sfida të reja dhe çdo ditë kemi rritje të neglizhencës së qeverisë, në raport me trajtimin se si i bëhet ekonomisë së vendit. Kemi shkallë të ulët të investimeve kapitale, nuk kemi asnjë projekt të rëndësishëm për ekonominë, nuk kemi investim në energji, gjë që është jetike edhe në raport me sfidat që kemi pasur dhe me sfidat që do t’i kemi në të ardhmen, nuk kemi investime të sektorit privat, të cilët janë të dekurajuar nga qasja dhe neglizhenca në raport me sfidat që i kanë ata, siç është edhe ikja e fuqisë punëtore, e kështu me radhë. Komplet një pasivitet, një amatorizëm dhe një arrogancë, në raport edhe me atë së çfarë mund të ishte, diçka si alternativë në situata të tilla. E vetmja arsye e qeverisë, është një 450 milionë euro, të cilin e kanë shpërndarë në skema sociale, por pa asnjë efekt për ekonominë”, deklaroi ish-kreu i OEK-së.

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës s’i ka dëgjuar as rekomandimet, të cilat i kanë dhënë në vazhdimësi për të lehtësuar jetesën e qytetarëve të Kosovës.

“Qytetari i vendit nuk e ka pasur një përkrahje apo një qasje të qeverisë, në zvogëlimin e rëndesës që kanë qytetarët, për ta përballuar koston e jetesës. Ka mjaft shembuj, duke filluar nga ajo që nuk është dëgjuar asnjë rekomandim, edhe sa i përket koeficientit të pagave në sektorin publik, në anën tjetër nuk është dëgjuar asnjë rekomandim sa i përket politikave të ndryshme, si: ulja e TVSH-së, reduktimi i akcizës për një periudhë të caktuar për produktet esenciale, siç është nafta e të tjerë, që më pas kanë pasur një ndikim në koston e jetesës”, shtoi Rukiqi./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img