Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, u është kundërpërgjigjur reagimeve të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me “Rrugën e Re” të LDK’së, që do të jetë plani programi qeverisës i kësaj partie.
Rukiqi ka thënë se moblizimi i pushtetit dhe eksponentëve të tij për të sulmuar këtë platformë, është tregues i rëndësishëm “i panikut të krijuar nga humbja që i pret”.
“Mobilizimi i pushtetit dhe eksponenteve te tij, per te sulmuar ”Rrugen e Re”, me cinizem bajat dhe aspak kreativ, eshte tregues i rendesishem, i panikut te krijuar, nga humbja qe i pret”, ka shkruar Rukiqi.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar dje se është finalizuar “Rruga e Re”, që do të jetë plani i qeverisës i kësaj partie. Menjëherë pasi Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, njoftoi për këtë dhe tha se kjo platformë është zgjidhja, kanë filluar reagimet nga partia në pushtet, Vetëvendosje.
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, është munduar që të godasë edhe LDK’në edhe PDK’në në postimin e saj.
Mihali ka pyetur nëse “Kjo rruga a shpie te qeveria në hije e PDK?”
“Se ka humbur prej vjet në pranverë kur u formula”, ka shkruar Mihali.
Për “Rrugën e Re” të LDK’së ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
Ai me ironi ka uruar LDK’në, duke shtuar “Uroj që ka ndonjë kontroll rrugës para se me marrë n’qaf naj njeri n’udhë të drejtë ????”.
Reagim për këtë ka bërë edhe deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajçinovci.
Ai ka thënë se “Rruga e Re” pa Kurtin, është veç ajo për Prapashticë, duke aluduar për vendlindjen e ish-kryetarit të LDK’së dhe ish-kryeministrit, Isa Mustafa.
“Rruga e Re” e pa Kurtin, është veç rruga për Prapashticë”, ka shkruar Bajçinovci.