Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, konsideron se formimi i Fondit Sovran do të jetë projekt i dështuar dhe barrë shtesë për Qeverinë e Kosovës.
Rukiqi tha se nuk e sheh si zgjidhje për ekonominë vendëse Fondin Sovran, dhe si e tillë s’është dashur që të formohet.
“Këtë e ka proklamuar si projektin më madhor të ekonomisë. Ne do të jemi dëshmitarë, do të flasim edhe pas shumë vitesh. Ky do të jetë dështimi më madhor i ndonjë qeverie. Sepse nuk është zgjidhja e ekonomisë së Kosovës fondet sovrane, koncentrimi i shtetit në kompanitë të cilat kanë nevojë për kapital por jo përmes koncentrimit të tyre në fondet e tilla, shto aty që fonde të tilla apo një prezencë e publikes në një instrument kaq të madh, e shton hapësirën për keqpërdorime, por përveç kësaj nuk është model fondi sovran për Kosovën”.
“Fondi Sovran është për vendet të cilat kanë suficit tregtar, kanë rezerva. Kosova është rekord për nga ana e deficit tregtar, dhe nuk mund të prodhojë një ekonomi e tillë një fond të qëndrueshëm sovran”, tha Rukiqi për Ekonomia Online.
Tutje, Rukiqi është shprehur se ky fond do të bëhen barrë për qeverisjen dhe se një pjesë e energjisë do ta marrë menaxhimi i tij.
“Po edhe për shkak të atij koncentrimi dhe për shkak të shumë problemeve të ndërmarrjeve publike që janë evidente, që shihen çdo ditë. Shiheni se çka po ndodh me KEK-un. Pastaj grumbullohen në një vend dhe bëhen barrë shtesë për shtetin. Edhe borxhet edhe menaxhmenti, pra shteti po e ngarkon vetën me një diçka e cila do duhej të ishte puro problem i kompanive dhe i sektorëve të caktuar, gjithmonë me një plan të qartë që të futet kapitali privat në këto ndërmarrje dhe pastaj të rritet efiçenca e tyre”.
“Këtë rast, do të ketë probleme, jo vetëm me përformancën e tyre por do të ketë edhe probleme shtesë për shkak se do të bëhen barrë për qeverisjen dhe një pjesë e energjisë do ta marrë menaxhimi i këtij Fondi. Ky do të jetë një dështim kolosal i kësaj qeverisjeje”, thotë tutje Rukiqi.