Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Boris Ruge mendon që tani nuk është situata që mund të flitet për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike, NATO.
Ai është shprehur se Kosova deri tani nuk është duke ecur drejt anëtarësimit në Partneritetin për Paqe.
Ndër tjera, Ruge theksoi se NATO nuk ka hequr dorë nga mbështetja në dialogun Kosovë-Serbi, dhe se janë me shpresë së ky proces do të vazhdojë tutje.
Ruge është deklaruar edhe për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit për të cilën, tha se: “E kuptojmë që kjo urë ka qenë temë e diskutimeve në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka një marrëveshje për parimet që ajo duhet të hapet plotësisht, pra jo vetëm për këmbësorë por edhe automjete, por nuk duam asnjë veprim të njëanshëm për këtë”.
Gjithashtu, Ruge foli edhe për Procesin e Berlinit si dhe marrëveshjen për tregti të lirë CEFTA që tani Kosova zëvendëson UNMIKU-un.
“Do ta potencoja faktin se të hënën e kësaj jave ne kishim Procesin e Berlinit i cili u mbajt në Berlin. Njëra prej ngjarjeve ishte avancimi i marrëveshjes për tregti të lirë, tani në tavolinën e CEFTA-s ulet Kosova që e zëvendëson UNMIK-un. Kjo i hapë rrugë një zone ekonomike në Ballkanin Perëndimor që është tejet e rëndësishme sepse asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është i madh mjaftueshëm sa të ekzistojë si i vetëm. Keni nevojë për qasje në tregje nga rrugë të ndryshme. Ky është shembulli se si mund të arrihet progresi”, tha ai në Klan.
Ai për fund foli edhe për mundësinë e shtimit të numrit të ushtarëve në KFOR, numri dy i NATO-s potencoi se deri tani është i mjaftueshëm numri që kanë në terren.