Në vend të KRU “Pastrimi”, Radio Televizioni i Kosovës i pagoi për rreth 5 vjet, mbi 372 mijë euro kompanisë “Pastimi”.
RTK ka derdhur para në xhirollogarinë e kësaj kompanie duke pretenduar se është duke i paguar faturat kompanisë rajonale, KRU “Pastrimi”.
Rrjedhimisht nga Televizioni Publik në llogarinë e kompanisë së ish-kontabilistit “Pastimi”, ishin bërë pagesa mujore deri në 8 mijë euro, për shërbimet që nuk i ka kryer asnjëherë.
Drejtori gjeneral i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati ka thënë se kjo kompani ishte regjistruar në sistem nga një punëtor i RTK-së i cili tashmë është dënuar për veprimin.
Drejtori i RTK-së ka theksuar se kjo ka nisur në vitin 2008 dhe ka zgjatur rreth pesë vite.
“Një punëtor tek ne e ka regjistru një kompani, “Pastimi”, pa ‘r’ dhe në mënyrë të vazhdueshme RTK ka derdh para, deri sa është evidentuar. Dëmi është diku rreth 372 mijë euro. Pala me sa e di është dënuar por ne jemi dëmtuar”, tha ai.
Bëhej fjalë për ish-kontabilistin Bajram Shehu.
Por si erdhi deri te dënimi dhe konfiskimi i pasurive të tij nga gjykata?
Gjykata Themelore në Prishtinë, në qershor të këtij viti kishte marrë vendim për konfiskimin e pasurisë së ish-kontabilistit të Radio Kosovës, Bajram Shehu, i cili ishte dënuar për përvetësim në detyrë.
Atij i janë konfiskuar shtëpia e banimit në lagjen “Emshir” me sipërfaqe prej 298m², garazhi me sipërfaqe prej 30 m² m2 dhe një veturë të tipit “Land Rover”.
Bajram Shehu, më 30 prill 2014, ishte shpallur fajtor për përvetësim të 331,350.87 euro, për çka ishte dënuar me tre vjet e dy muaj burgim. Atij i ishte konfiskuar edhe pasuria, përfshirë edhe një shtëpi në lagjen “Emshir”.
Dënimi me burgim ishte vërtetuar edhe nga Apeli, por rasti ishte kthyer në rigjykim sa i përket konfiskimit të pasurisë.
Pas rigjykimit, shkalla e parë sërish kishte vendosur për konfiskimin e pasurisë së Shehut. Por, Gjykata Supreme, në tetor 2019, kishte vendosur që Shehu sërish të gjykohet sa i përket dënimit plotësues, konfiskimit të pasurisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Prishtinë përsëri ka marr vendim që të konfiskoj pasurinë sipas propozimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Bajram Shehut, në bazë të nenit 62 dhe 69, i shqiptohet dënimi plotësues, i konfiskohen përherë sendet si në vijim: shtëpia e banimit në lagjen “Emshir” me sipërfaqe prej 298m² dhe garazhi me 30 m², për të cilën nga kjo gjykatë i është lëshuar urdhër ndalues afatgjatë”, tha kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini.
Gjykata ia ka konfiskuar edhe veturën e tipit “Land Rover”, e cila ka qenë e sekuestruar me urdhër të gjykatës.
Sipas gjykatës, është vërtetuar se këto sende janë dobi pasurore të përfituara me kryerjen e veprës penale, për çka i akuzuari Shehu është shpallur fajtor.
Me aktgjykim, gjykata ka obliguar Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar apo Sekuestruar të shes sendet e lartcekura.
“Shitja e shtëpisë bëhet sipas procedurave të Agjencisë dhe nga të ardhurat e fituara nga shitja e aseteve të kompensohet e dëmtuara RTK. E dëmtuara po ashtu udhëzohet që për pjesën e dëmit që nuk mund të realizohet nga shitja e aseteve të konfiskuara në kontest juridiko – civil”, shtoi gjykatësja.
Bajram Shehu akuzohej se në vitet 2007– 2012, si person zyrtar, derisa ishte duke punuar në Radio Kosovë në pozitën shef i kontabilitetit, me qëllim që vetës t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka përvetësuar shumën prej 331,350.87 euro.
Sipas aktakuzës, mjetet të cilat i ishin besuar atij si shef i kontabilitetit në Radio Kosovë, Shehu nga llogaria bankare e Radio Televizionit të Kosovës i ka bartur në llogarinë e firmës së tij, NSH “Pastrimi”.
Me këtë rast, sipas aktakuzës, dëmi që i është shkaktuar Radio Kosovës arrin shumën prej 331,350.87 euro.
Tutje, Shehu akuzohej se me qëllim që vetit t’i sillte përfitim pasuror të kundërligjshëm, me mjetet e Radio Kosovës kishte blerë 12 radiatorë për ngrohje qendrore, në vlerë të përgjithshme prej 1.061,50 euro.
Këta radiatorë sipas aktit akuzues Shehu i kishte përvetësuar për vete, duke i dërguar në shtëpinë e tij, me çka të dëmtuarës Radio Kosova i ka shkaktuar dëm material.