Deklarimet e prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj, se Blerim Isufi kishte kërkuar të hiqej nga aktakuza për mashtrimet me lista të veteranëve ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, i ka komentuar ky i fundit.
Në një bisedë me Insajderi, Berisha ka thënë se nuk e ka dëgjuar këtë deklaratë të Elezajt, dhe se sipas tij asnjëherë nuk ka kërkuar nga askush të ndikojë tek ndonjë person për ta bërë një gjë të tillë.
Berisha kishte qenë anëtar i Komisionit për Verifikimin e Statutit të Veteranit, duke qenë i përfshirë në dyshimet se ka bërë fryrjen e listave për veteranë. Berisha ka thënë se organet e drejtësisë le ta bëjnë punën e tyre, dhe t’i gjejnë personat që e kanë shkelur ligjin për këtë gjë.
“Realisht nuk mund të flas se nuk jam marrë me këtë rast, se a janë rritë për 19 mijë a 20 mijë. Unë i inkurajoj të gjithë ata që ta hetojnë këtë gjë, dhe t’i gjejnë personat që e shkelën ligjin.
Në pyetjen se a është rritur numri i veteranëve, Berisha zgjodhi heshtjen. Tha se do të flas në momentin kur të bëhet zyrtare, duke aluduar në aktakuzë.
“Nuk mund të flas për këtë cështje kur të bëhet cështja zyrtare, unë do të flas për këtë”, ka thënë Berisha.
Në letrën e Blakajt ai shpreh keqardhje për Blerim Isufin, për të cilin thotë se ka respekt, por që ai nuk kishte mundur që ta aprovojë kërkesën e tij pasi që sipas Blakajt, faktet dërgonin që edhe Berisha ishte fajtor për shtimin e numrit të veteranëve.
“Më vjen keq edhe për z. Blerim Isufi për të cilin kam pas respekt, por thjeshtë dua t’ja bëj me dije se provat ishin ato të cilat nuk më lejonin ta hiqja nga aktakuza z. Rrustem Berishen, përkundër insistimit të tij!”, thuhet në letrën e prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj.