Pas reshjeve të borës, rrugët e kryeqytetit në mëngjesin e sotëm ishin vështirë të kalueshme, qoftë për vozitës po ashtu edhe këmbësorë. Këta të fundit fajësojnë Komunën e Prishtinës, sepse sipas tyre kompanitë e pastrimit nuk janë angazhuar për pastrimin e rrugëve.
E vetëm në 24 orëshin e fundit ndodhën 35 aksidente të trafikut.
Meqë rrugët në mëngjes ishin pothuajse tërësisht të pa pastruara, Isak Sadiku u detyrua që trotuaret para lokaleve, t’i pastrojë vetë.
Ai tha se të gjitha rrugët në qytet janë pothuajse të pa kalueshme.
“Për ditë të sotit është e pamundur, ndoshta mund të them. Meqenëse i kam parë edhe komuna ka marrë iniciativë për pastrimin e rrugëve edhe sidomos trotuareve. Por, ndoshta mund të them se nuk është e mjaftueshme derisa ka vështirësi të kalimit të rrugëve”, tha ai.
Se rrugët janë vështirë të kalueshme po e thotë edhe Rasim Hoxha.
“Rrugët me të vërtetë janë deri diku të kalueshme, ka nevojë të merren iniciativa më të mëdha për me mujt me i kry, për të bërë pastrimin e rrugëve…Duhet më tepër edhe ata të angazhohen pak më shumë, secili qytetar me të vërtetë po kemi probleme trotuareve, sepse kalimi është i vështirë”, tha Hoxha.
Sipas tij, qytetarët duhet të alarmojnë për këtë gjendje, sepse, siç tha ai, pushtetit lokal nuk po i bëhet vonë për këto gjëra.
Qarkullimin në qytet, e pati të vështirë edhe Fatos Gashi.
Ai tha se sot është shumë vështirë të vozitet, si shkak i rrugëve të papastruara.
“Sot janë rrugët shumë të vështira për me vozit, nuk janë shumë të kalueshme, sidomos afër Fakultetit Teknik, apo ku ka edhe më përpjetëse, janë jashtëzakonisht jo të kalueshme… Të pastrimit më shumë kemi pa verës tu i pastru rrugët se sa tash”, tha Gashi.
Të njëjtin mendim e ndanë edhe Naim Osmani nga Prishtina.
“Është e vështirë me vozit sot, duket se rrugët nuk janë pastru, nuk janë mirëmbajt sa duhet, prandaj për gjithë është e vështirë. Bile së paku për ata që nuk i kanë përgatitjet dimërore është me të vërtetë shumë e vështirë” ka përfunduar Osmani.
Sipas tij, në këso kushte janë në rrezik për aksidente, e për këtë gjendje ai fajtor bënë komunën, sepse sipas tij këta të fundit nuk po janë të përgjegjshëm.
Nga realiteti, i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti përmes rrjetit social facebook ka shkruar se kompanitë e pastrimit kanë qenë tërë natën në terren.
“Të gjitha kompanitë e kontraktuara kanë qenë tërë natën në terren dhe vazhdojnë të punojnë me kapacitete të plota. Reshjet pritet të vazhdojnë prandaj lusim për qarkullim te kufizuar dhe përshtatje të shpejtësisë”, ka shkruar Ahmeti.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës në 24 orëshin e fundit kanë ndodhur 35 aksidente të trafikut.