Shumë qytetarë janë ankuar për gjendjen e rënduar në rrugën “Prekazi” në Prishtinë. Ata kanë adresuar problemet e tyre në faqen “Vrojtuesit e Lagjes”.
Njëri nga ta ka thënë se janë në pritje të intervenimit nga Ndërmarrja Publike Banesore, të cilët deri më tani nuk kanë ndërmarrur diçka.
“Vazhdojmë çdo ditë me baltë, pluhur e gropa”, ka shkruar njëri nga qytetarët.
Gazeta Insajderi për këtë çështje ka kontaktuar edhe me Drejtorin e Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferin i cili ka thënë se kjo rrugë është pjesë e planifikimit për vitin 2024.
“Rruga Prekazi, është pjesë e planifikimit për vitin 2024. Jemi duke punuar në dy rrugicat e rrugës Muharrem Fejza, si Rr. Uran Ajeti dhe Rr.Ukshin Kovaçica. Sot kemi filluar edhe në tri rrugicat të tjera në Rr. Muharrem Fejza”, ka thënë Xhaferi.
Ndërsa sa i përket NPB-së, Xhaferi ka thënë se ajo do të merret me mirëmbajtjen e asaj rruge.
“NPB-ja do të trajtoj si mirëmbatje atë rrugë deri në planifikimin tonë në 2024”, është shprehur Xhaferi.