Kur kanë kaluar rreth tre muaj nga marrja e mandatit, procedurat për largimin e kryetarëve të komunave veriore kanë nisur.
Grupi punues që është përgjegjës për hartimin e Udhëzimit Administrativ po punon intensivisht që ky Projekt – Udhëzim Administrativ të procedohet në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal jo më larg se më 1 shtator.
Kryesuesi i këtij grupi punues, Besim Myrtezani, ka thënë se Udhëzimi Administrativ do të jetë gati në afatin e paraparë.
“Udhëzimi administrativ parasheh hapat të cilët do të ndërrimren, iniciativën do të ketë të drejtë ta marrin 1, 2 apo 3 qytetarë. Të sigurojnë 20 përqind e votuesve të asaj komune për të filluar procesi. Nëse qytetarët sigurojnë 20 përqind të votimeve të asaj komune atëherë procesi do të shkojë për votim i cili do të organizohet nga KQZ për largimin e kryetarëve sipas vullnetit të qytetarëve. 20 përqind të votave duhet të sigurohen për të marr iniciativën pastaj 50 përqind plus 1 votë do të mundësojë largimin e kryetarëve nëse kjo do të arrihet”, tha ai, për RTK-në.
Në anën tjetër, dy nga kryetarët e komunave veriore preferojnë dorëheqjen para peticionit.
Për këtë, Myrtezani thotë se nuk është më çështje e kryetarëve të komunave por e vullnetit të qytetarëve.
“Nëse kryetarët e komunave do të kenë vullnetin të largohen ajo është çështje e kryetarëve të komunave. Ne e bëjmë Udhëzimin Administrativ që u mundëson qytetarëve një të drejtë të tillë. Kjo çështje nuk është çështje më e kryetarëve të komunave por është çështje e vullnetit të qytetarëve për largimin e kryetarëve”, tha ai.
Myrtezani sqaron se për largim të kryetarëve do të ketë proces të votimit, ndërsa 20 përqind e votave nevojiten vetëm për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve.
null
“Për ta sqaruar, nuk është 20 përqind e votuesve që mund ta largojnë kryetarin e një komune. Duhet të jetë 50 përqind plus një votë për ta mundësuar largimin e kryetarit të komunës. 20 përqindshi është vetëm iniciativa ndërsa për largimin e kryetarit duhet të ketë proces të votimit për largim i cili duhet të ketë 50 përqind plus një votë për largim”
Largimi i kryetarëve të katër komunave veriore u hap rrugë zgjedhjeve të reja, për mbajtjen e të cilave Qeveria e Kosovës u dakordua me Bashkimin Evropian në takimin e Bratislavës.