Për sulmin brutal të Sami Kurteshit ndaj Nacionales dhe gazetares Besarta Hoti, Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës shkruan:
Rrjeti i Grave Gazetareve të Kosovës e dënon ashpër gjuhën ofenduese, kërcënuese dhe nxitëse të përdorur nga anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, gjatë intervistes me gazetaren e Nacionales, Besarta Hoti.
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës shpreh shqetësim të thellë për përdorimin e gjuhës seksiste nga Kurteshi, posaçërisht shprehja “ta hangsha loçkën,” e cila është poshtëruese dhe krejtësisht e papërshtatshme në çdo kontekst. Kjo lloj gjuhe përforcon një kulturë misogjiniste dhe seksiste, duke krijuar një mjedis të pasigurtë për gazetaret.
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje! të ndërmarrë masa të menjëhershme për të siguruar që përfaqësuesi i saj në KQZ të përmbahet nga përdorimi i gjuhës ofenduese dhe kërcënuese ndaj medias. Gjithashtu, i bëjmë thirrje LVV-së që të mbajë përgjegjës Sami Kurteshin për veprimet e tij dhe të dënojë publikisht sjelljen e tij. Sulmet verbale ndaj gazetarëve, veçanërisht ato që përmbajnë nënkuptime seksiste, janë të papranueshme dhe përbëjnë një kërcënim serioz për lirinë e medias dhe barazinë gjinore në Kosovë.
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës qëndron në solidaritet me Besarta Hotin dhe të gjitha gazetaret që përballen me sulme të tilla gjatë kryerjes së detyrës së tyre.