Rrjedhja e disa dokumenteve të klasifikuara të Departamentit amerikan të Mbrojtjes paraqet rrezik “shumë serioz” për sigurinë kombëtare, tha Pentagoni.
Dokumentet duket se përfshijnë informacione të ndjeshme në lidhje me luftën në Ukrainë, si dhe për Kinën dhe aleatët e SHBA-së.
Hetimet për të përcaktuar burimin e rrjedhjes së tyre, tashmë kanë nisur.
Dokumentet u shfaqën fillimisht në platformat online, si Twitter, 4chan dhe Telegram, si dhe në një server Discord për video-lojën Minecraft.
Përveç informacioneve shumë të detajuara në lidhje me luftën në Ukrainë, disa nga dokumentet e zbuluara thuhet se hedhin dritë edhe mbi informacione të ndjeshme për aleatët e SHBA-së.
Një burim i afërt me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha për CNN-in se Ukraina ka ndryshuar tashmë disa nga planet e saj ushtarake për shkak të rrjedhjes së dokumenteve.
Dokumentet e tjera thuhet se fokusohen në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme, si dhe në rajonin e Indo-Paqësorit.
Chris Meagher, ndihmës i sekretarit amerikan të Mbrojtjes për çështjet publike, tha se rrjedhja e dokumenteve paraqet “rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare dhe ka potencial për të përhapur dezinformata”.
“Ne jemi duke hetuar sesi ka ndodhur kjo”, tha ai.
Rasti po hetohet nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, së bashku me zyrtarë nga Pentagoni, Shtëpia e Bardhë dhe të tjerë në Qeverinë amerikane./PrishtinaPress/