Site icon PrishtinaPress

Rritja e rasteve me COVID-19, ministri Latifi shkon në Infektivë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka vizituar sot Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare.

Në njoftimin e MSh-së bëhet e ditur se Latifi ka biseduar me drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqin, dhe atë të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, për organizimin e punës, pas rritjes së rasteve me koronavirus.

“Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi vizitoi sot në mëngjes Klinikën Infektive në QKUK ku me ekipin kujdestar të 24 orëshit të fundit bisedoi për pacientët që po trajtohen aty. Ministri falënderoi ekipet për punën që po bëjnë, dhe së bashku edhe me drejtorin e SHSKUK, Valbon Krasniqi dhe drejtorin e Klinikës Infektive Arben Vishaj biseduan  për organizimin e punës në frymën e rritjes së rasteve me Covid-19 dhe gatishmërinë për t’u ballafaquar në rast të rritjes së rasteve. Ai u informua për numrin e rasteve që kanë marrë trajtim gjatë 24 orëshit të fundit dhe ecurinë e tyre”, bëhet e ditur në njoftim.

Ndryshe, gjatë dy javëve të fundit ka filluar të rritet numri i rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë.

Të mërkurën në vend u regjistruan 2 mijë e 50 raste pozitive, shifër kjo më e larta që nga gushti i vitit të kaluar, kur ishin shënuar 2 mijë e 236 raste për 24 orë.

Aktualisht në vend janë 7 mijë e 266 raste aktive me koronavirus.

Exit mobile version