0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Rritja e prodhimit ka ulur çmimin e hashashit! Ja sa shitet dhe blihet sot pas shkatërrimit të Lazaratit

Oferta në rritje ka ndryshuar çmimin e kanabisit në tregun kriminal shqiptar.

Pas një rritjeje gati 6-fish që pësoi çmimi i hashashit menjëherë pasi Policia goditi Lazaratin, në vitin 2016 dhe momentalisht, shifrat kanë ndryshuar. Çmimi ka shkuar thuajse në ato nivele ku ishin çmimet para operacionit në fshatin jugor në Gjirokastër. Madje, sipas të dhënave, sasia e madhe që hidhet në treg e ka ulur vlerën e kanabisit 3 herë më pak nga ç’ishte para goditjes së Lazaratit.

Aktualisht një kilogram hashash në Shqipëri mund ta blesh edhe me 100 euro, nga 300-400 që ishte gjatë kohës kur Lazarati “lulëzonte”. Rënia drastike e çmimit shpjegohet vetëm me rritjen e madhe të prodhimit. Edhe pse askush në Policinë e Shtetit nuk e thotë zyrtarisht se sa ka shkuar çmimi i kanabisit në vend, burime të rezervuara konfirmojnë çmimin më të ulët në histori, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Rrjedhimisht, prodhimi i madh në vend ka bërë që hashashi shqiptar të blihet shumë më lirë edhe jashtë kufijve.

Çmimi më i ulët i shitjes jashtë vendit është shënuar në Greqi, ku një kilogram hashash shitet 800-900 euro. Në fillim të vitit 2016, një kilogram hashash atje shitej deri në 1600 euro. Pra, thuajse është përgjysmuar vlera e kanabisit. Në vende të tjera të Europës Perëndimore, kanabisi mund të shitet edhe më shtrenjtë, nisur edhe nga kostoja më e lartë e transportit. Por edhe atje, si për shembull, në Itali apo në Holandë, çmimi ka pësuar rënie të ndjeshme.

Në Itali 1 kg hashash shitet deri në 1000 euro, nga 1500-1700 euro që ishte në fillim të 2016- s, ndërsa në Holandë maksimumi deri në 1500 euro, nga 2200-2500 euro. Ekspertët shprehen se kjo ka ndodhur për shkak të mbiofertës.

ÇMIMET E MEPARSHME

Pas operacionit të madh që Policia e Shtetit ndërmori në Lazarat, çmimet e hashashit pësuan një ndryshim të dukshëm. Madje, ekspertët e Antidrogës shpjeguan edhe se si kanë ndryshuar çmimet e shitjes së hashashit në tregun me pakicë, por edhe në atë me shumicë. Sipas oficerëve, një vit para goditjes në Lazarat, një qese me hashash kushtonte 500 lekë të rinj, kurse pas operacionit në fshatin jugor, e njëjta sasi kushton sa tri herë më shumë, pra 1500 lekë të rinj. Rrjedhimisht, ndryshime pësoi edhe tregu i shitjes me shumicë të hashashit, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

Nëse një vit para operacionit në Lazarat, një kilogram kanabis shkonte 300-400 euro, pas tij çmimi u gjashtëfishua. Një kilogram hashash mund të blihet brenda vendit deri në 2600 euro, ndërsa jashtë Shqipërisë shitej thuajse dyfish. Specialistët e Antidrogës shpjegonin atëherë se, nëse më parë cilësia e drogës ka qenë shumë e mirë, pas operacionit në Lazarat filloi të shitej droga që kishte mbetur, e cila është e një cilësie shumë të dobët, e megjithatë shitej më shtrenjtë.

Sipas tyre, çmimi pësoi rritje për shkak se oferta në treg ka qenë shumë e vogël, ndërsa kërkesa ka qenë shumë e madhe. Por tashmë po ndodh e kundërta, oferta është shumë herë më e madhe se kërkesa, edhe për shkak të prodhimit shumë të lartë. Zyrtarisht nga Policia nuk ka ndonjë studim konkret për këtë fakt, ose nuk thuhet asgjë. Ndërsa shumë specialistë të Antidrogës pranojnë çmimin më të ulët në historinë e kultivimit të kanabisit në vend. Panorama

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img