7.9 C
Pristina
Wednesday, November 6, 2024

Buy now

spot_img

Rritja e çmimit të energjisë/ Opozita tregon se si do ta kundërshtojnë vendimin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paralajmëruar protesta në rast se do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.

Por, pavarësisht që çmimi nga 1 prilli u rrit për rreth 15%, nga kjo parti ende nuk kanë vendosur se cilat do të jenë veprimet e tyre, për ta kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRrE).

Kadrijaj: Do të dakordohemi edhe me partitë tjera për ta kundërshtuar vendimin për rritjen e çmimit të rrymës

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se ende nuk janë takuar për tu koordinuar rreth veprimeve të mëtutjeshme.

“Kemi qenë pushim këto ditë dhe kemi qenë të shpërndarë dhe nuk kemi pas mundësi me pas ndonjë takim as të kryesisë e as të grupit parlamentar, por besoj që edhe më partitë tjera opozitare që me pas një koordinim se cilat do të jenë veprimet që me kundërshtua sërish rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ka qenë një deklaratë që u bë për shkak të rritjes, por për shkak të pushimeve ende nuk jemi takuar, tash nesër i kthehemi punës në Kuvend dhe besoj që do e diskutojmë edhe këtë në grupin parlamentar dhe do të shohim se cilat do të jenë veprimet”, është shprehur Kadrijaj për Front Online.

Ajo nuk ka përjashtuar mundësinë e koordinimit edhe me grupet e tjera parlamentare të partive opozitare, për ta kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë.

“Sigurisht se do të bëjmë një strategji edhe me grupet tjera parlamentare. Ka mekanizma të shumtë të kundërshtimit për shkak se konsiderojmë që kjo është e dëmshme për qytetarët e Kosovës edhe për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen qytetarët e Kosovës. Ditët në vijim do të dakordohemi se cilat do të jenë veprimet”, ka thënë Kadrijaj.

Shala: Ende s’kemi qëndrim të saktë si do ta kundërshtojmë shtrenjtimin e energjisë

Deputeti i PDK-së Ferat Shala, ka thënë se si parti ende nuk kanë ndonjë qëndrim se si do ta kundërshtojnë vendimin për shtrenjtim të energjisë.

Por, thotë se në një formë ose në një tjetër ata e kanë kundërshtuar në formë demokratike, duke shtuar se ngritja e çmimit ka ndodhë si shkak i keqmenaxhimit.

“Për format tjera të protestës, të kundërshtisë aktualisht nuk kemi ndonjë qëndrim si rezultat i dinamikës që patëm dhe duke e analizuar edhe mundësinë e ankimimeve të ndryshme qoftë gjyqësore, qoftë të mundësive tjera demokratike. Deri në këto momente ne nuk e shohim të arsyeshme dhe nuk është në kulturën tonë që të protestojmë në rrugë”, ka thënë Shala, për Front Online.

I pyetur se a do ta përkrahin AAK-në në rast se kjo e fundit organizon protestë siç ka paralajmëruar, Shala ka dhënë këtë përgjigje.

“Sigurisht që ne do ta analizojmë nëse kemi ftesë prej partisë së AAK-së dhe organet e partisë do të marrin vendim bashkë me grupin parlamentar, nëse ka një ftesë të tillë prej partive politike, të shoqërisë civile apo të organizatave tjera ne do të marrim qëndrim me kohë”, ka pohuar Shala.

 

Bunjaku-Rexhepi: Reagimet tona për ta kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë po hasin në vesh të shurdhër

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka deklaruar për Front Online se për ta është i papranueshëm shtrenjtimi i energjisë, por se reagimet e tyre po hasin në vesh të shurdhër.

 “Për neve si LDK është jashtëzakonisht e papranueshme, mirëpo reagimet tona po hasin në vesh të shurdhër sepse ata as nuk po dinë e as nuk po dëgjojnë dhe ky faturim i energjisë iu ka bërë qytetarëve jetën e papërballueshme duke e pas parasysh edhe inflacionin e çmimeve të larta dhe tani edhe energjia dhe kur rritet energjia normalisht që rriten edhe produktet dhe kjo është e papranueshme për LDK-në”, ka thënë ajo për Front Online.

E, në rast se AAK-ja do të protestojë për të kundërshtuar vendimin e ZRrE-së, Bunjaku Rexhepi ka deklaruar se LDK-ja nuk i preferon protestat.

“Sa i përket protestave të Aleancës nuk kemi marrë vendim, LDK-ja nuk i preferon protestat, por ta ngrisim zërin aty ku mundemi”, është shprehur deputetja Bunjaku-Rexhepi.

Tarifat e reja kanë hyrë në fuqi nga 1 prilli dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.

Sipas ZRrE-së, për ata që harxhojnë 300 kWh, rritja do të jetë 2.88 euro.

Për ata që harxhojnë 450 kWh, rritja do të jetë 4.18 euro. Ndërsa ata që harxhojnë 600 kËh, rritja do të jetë 5.49 euro.

Për ata që harxhojnë 800 kWh, rritja do të jetë 7.23 euro.

E ata që harxhojnë 1000 kWh, rritja do të jetë 10.51 euro. Për ata që harxhojnë 1200 kËh, rritja do të jetë 13.80 euro.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img