Site icon PrishtinaPress

Rritet vëmendja ndërkombëtare për ndryshimin e mundshëm të kufijve Kosovë-Serbi

Debatet mbi ndryshimin e mundshëm të kufijve të Kosovës ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare.
Edhe pse zyrtarisht deklarojnë se nuk përfshihen, me mesazhin e përcjellë përmes Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, John Bolton, Shtetet e Bashkuara treguan se cili është pozicioni i tyre. “Ne jemi dakord nëse ka marrëveshje mes palëve”.

As BE-ja, sipas Uashingtonit, nuk duhet të rrijë në rrugë nëse vet Prishtina dhe Beogradi gjejnë kompromisin.

“Euronews” përcjell këndvështrimin e profesor doktor Florian Bieber, të Universitetit të Grazit, që thotë se modifikimet kanë për të qenë shumë më të komplikuara në praktikë sesa në teori.

Katër rajone me shumicë serbe në veri të Kosovës; Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku dhe Mitrovica Veriore; sipas tij nuk kanë qenë plotësisht nën kontrollin e qeverisë kosovare që kur vendi shpalli Pavarësinë, e skenari më i mundshëm, edhe pse i pashqiptuar zyrtarisht nga asnjëri prej vendeve, do të përfshijë dhënien e këtyre zonave Serbisë.

Presheva dhe Bujanoci me shumicë shqiptare në jug të saj do t’i kalonin Kosovës. Por, ndërsa Amerika e bëri të qartë se marrëveshja do të ishte e mirëpritur, BE-ja mund ta bllokojë lëvizjen për sa kohë ekziston rreziku që ujdia të sjellë sërish destabilizim në Ballkan.

“Si strategji në vetvete, kjo është ndjeshëm e rrezikshme”, mendon Bieber, që përmend gjithashtu mundësinë e një reaksioni zinxhir. Kufijtë e disa zonave në Bosnje mund të rishikoheshin gjithashtu, e ka edhe rajone me probleme të ngjashme në Maqedoni e Mal të Zi.

Exit mobile version