Qeveria e Kosovës për më pak se 30 ditë duhet t’i kthej një përgjigje për nismën, për tërheqjen e 30 % të parave nga Trusti, nismë kjo që tashmë zyrtarisht është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeveri.
Mbi 17 mijë nënshkrime janë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës nga qytetarët e vendit, e të cilët përmes tyre po kërkojnë lejimin nga Kuvendi i Kosovës për tërheqjen e një shume të parave nga Trusti.
Por iniciuesi i mbledhjes së nënshkrimeve, Adnan jashari ka thënë për Gazeta Blic se është mjaft optimist se një nismë e tillë mund të kaloj në Kuvend.
Këtë ai po e bazohen në qëndrimet e disa deputetëve që janë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Jemi në pritje në kthimin e opinionit nga Qeveria për Nismën Legjislative të qytetarëve për Trustin. Si duket Qeveria po e pret ditën e fundit të afatit ligjor për kthim të përgjigjes. Ditëve të fundit na kanë dhënë pak shpresë disa deklarata të deputetëve të mazhorancës rreth tërheqjes se kursimeve nga Trusti”, thotë Jashari !
Sipas tij, deputeti i VV-së Fatmir Humolli është shprehur sërish që do të votojë pro projektligjit për tërheqje të Trustit, ndërsa deputeti tjetër Eman Rrahmani, nuk ka shprehur qëndrim direkt kundër tërheqjes së Trustit, në një prononcim për media ai tha që duhet të i pyesim ekspertët ekonomike se çfarë duhet të bëjmë në këtë kohë kur kursimet në Trust po iu bie vlera shkaku i rënies se investimeve”, tha Jashari.
Ai vlerëson se profesorët dhe ekspertët e ekonomisë kanë qenë pro një tërheqjeje të një pjese të kursimeve.
“Ne po shpresojmë që edhe deputetët tjerë të VV-së ta ndjekin shembullin e deputetit Humolli dhe të votojnë pro kërkesës së qytetarëve për tërheqje të kursimeve. Inkurajojmë Qeverinë që të jep opinion pozitiv për Nismën Legjislative për shkak se asaj nisme i janë bashkangjitur edhe nënshkrimet e qytetarëve pro tërheqjes së kursimeve”, deklaroi ai.
Adnan Jashari thotë se është momenti ideal që deputetët e Kuvendit të votojnë PËR, e për këtë ai ka numëruar disa arsye.
“Çdo ditë po përjetojmë vështirësi ekonomike, gjithashtu janë shtuar zërat edhe nga Qeveria për një dimër të vështirë dhe me probleme energjetike, gjë që do ta rendonin gjendjen ekonomike. Është koha e fundit që deputetët të nderojnë mendje dhe të votojnë pro projektligjit që lejon tërheqjen e Trustit. Kam frikë se si rezultat i rëndimit të gjendjes ekonomike do të ketë pakënaqësi sociale nëse nuk veprohet shpejt”, tha ai.
Sipas tij, nëse Qeveria e Kuvendi vendosin ndryshe nga kërkesa e qytetarëve, atëherë do të ketë veprime të tjera.
“Kësaj radhe revoltimi do të jetë më i madh edhe për arsye se nuk po dëgjohet zëri qytetar as përmes nënshkrimeve të tyre. Nuk përjashtohen protestat nëse nuk veprohet pozitivisht ndaj tërheqjes së kursimeve”, thotë ai.
Proceduralisht për këtë rast veprohet kështu – Qeveria jep mendimin e saj qoftë për apo kundër më pas pa mendimin ose pëlqimin e Qeverisë, kërkesa kthehet në Kryesinë e Kuvendit e cila më pas vendos se kur do të jetë në rend të ditës shqyrtimin i plotësimin ndryshimit për ligjin për Trustin.
Kuvendi i Kosovës muaj më parë nuk kishte kaluar nismën e Bekim Haxhiut deputetit të PDK-së për lejimin e tërheqjes së një shume të caktuar nga Trusti.
Shumica e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje ishin kundër.
Kundër ka qenë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati./Prishtinapress/