Deri më tash, fundin e Isa Mustafës në krye të Qeverisë po e përkrahin publikisht katër deputetë të PDK’së.
Pos Shukri Bujës, Nait Hasanit e Shaip Mujes për rrëzimin e Qeverisë është edhe Raif Qela i Lëvizjes për Bashkim që është pjesë e Grupit Parlamentar të PDK’së.
“Përderisa kjo qeveri nuk po mund t’i plotësojë detyrat themelore të veta, ka ardhur koha që kjo qeveri të bjerë dhe që kjo përbërje e Kuvendit të përfundojë. Aq më parë kur edhe ligjet me shumë vështirësi po shqyrtohen e po miratohen. Kurse disa prej tyre nuk po kalojnë për shkak të kundërshtive brenda partnerëve të koalicionit. Por as zgjedhjet e reja nuk do ta japin ndonjë produkt që do të dallojë cilësisht nga ky. Për fat të keq”, ka thënë Qela, për Epokën e Re.
Ky deputet ka thënë, po ashtu, se do të votojë kundër versionit aktual të demarkacionit.
“Lidhur me versionin aktual të demarkacionit me Malin e Zi, unë nuk kam ndryshuar qëndrim. Do të votoj kundër. Mendoj se kjo çështje duhet të zgjidhet me arbitrazh ndërkombëtar”, ka shtuar ai.
Lëvizja për Bashkim është pjesë e Qeverisë ndërkohë ka në Parlament vetëm një deputet.
Edhe deputeti i pavarur, Gëzim Kelmendi, ka deklaruar për Express se përkrahë rrëzimin e Qeverisë të iniciuar nga NISMA për Kosovën.
Rrëzimin e Qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit e ka nisur NISMA për Kosovën, parti kjo e udhëhequr prej Fatmir Limajt.
Edhe Vetëvendosje dhe AAK e kanë përkrahur NISMA’n për Kosovën që të rrëzojnë Qeverinë e udhëhequr prej Kryerarit të LDK’së, Isa Mustafa.
Koalicioni PDK-LDK i lidhur para dy viteve ka dështuar të marrë ndonjë vendim lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, kusht ky për liberalizimin e vizave. Veç kësaj, pozita ka dështuar të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ka dështuar edhe të themelojë ushtrinë.
Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli dhe Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa kanë paralajmëruar se nëse dështon kalimi i demarkacionit në Parlament, atëherë, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Është paralajmëruar se këtë muaj demarkacioni do të dalë në Parlament për votim.