Është rritur në 205 numri i personave që dyshohet se u helmuan nga ushqimet që konsumuan në një lokal në Malishevë.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, Afrim Krasniqi.
“Numri i qytetarëve po vazhdon të rritet, deri tani 205 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Të gjithë janë paraqitur me simptoma të njëjta, vjellje, temperaturë, ethe. Disa janë duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit, disa në QKUK në Prishtinë”, tha ai për Telegrafin.
Kujtojmë se, rastet e para të helmimit të qytetarëve janë paraqitur ditën e premte.
Lidhur me rastin Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur inspektimet në lokalin ku dyshohet se janë ushqyer qytetarët.
AUV ka marrë vendim që të mbyllet përkohësisht lokali dhe ka asgjësuar mbi 60 kilogram mish.
Dje Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve. Në njoftim thuhet se prokuroria ka paraqitur kërkesën për paraburgim ndaj të pandehurit K.Sh., në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
I njëjti gjendet nën masën e ndalimit për 48 orë, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri K.SH, ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.