Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave, sidomos në zonat Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë, por edhe në zonat e tjera, tani që temperaturat kanë filluar të ngrihen dhe rriqrat dalin në sipërfaqe të tokës.
Instituti thotë se edhe pse rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara, sërish kërkohet kujdes nga qytetarët.
Në njoftim, IKSHPK thotë se përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike në vend lidhur me Ethet Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK), sëmundje kjo që shkaktohet nga pickimi i rriqrave, dhe thekson se do të vazhdojë mbikëqyrjen dhe hulumtimin epidemiologjik të gjitha vatrave dhe zonave endemike, karakteristike për këtë infeksion viral.
Poashtu, me këtë rast IKSHPK i ka rekomanduar qytetarët që ndër të tjera “të mos qëndrojnë pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre, të mbahet higjiena personale në nivelin më të lartë, nëse u ngjitet ndonjë rriqër në trup, të shkojnë sa më parë në qendrën më të afërt mjekësore për heqjen e saj dhe marrjen e ndihmës shëndetësore”.
Personat e pickuar nga rriqrat duhet të trajtohen në Qendrat e Mjekësisë Familjare në komunat përkatëse, ndërsa sipas nevojës, ata referohen për trajtime në repartet infektive të spitaleve të përgjithshme dhe në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Rekomandimet e IKShPK-së për qytetarët:
- Të mos qëndrojnë pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre;
- Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende, të vishen me rroba të gjata dhe pantallonat të futen në çorapë;
- Të lyejnë pjesët e trupit, sidomos pjesët e zbuluara si shuplakat dhe qafën me preparate të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut;
- Të kontrollojnë trupin pas qëndrimit në vatra endemike si dhe pas kthimit nga punët në fusha/livadhe, ara apo vendet me shkurre;
- Nëse u ngjitet ndonjë rriqër në trup, të shkojnë sa më parë në qendrën më të afërt mjekësore për heqjen e saj dhe marrjen e ndihmës shëndetësore;
- Të kositet në vazhdimësi bari në oborre e livadhe;
- Të bëhet dezinsektimi selektiv i hapësirave në vendet endemike (shkurret, kaçubat, djerrinat dhe livadhet e pakositura të lëna djerrë);
- Të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i stallave në vazhdimësi;
- Të mbahet higjiena personale në nivelin më të lartë.
IKShPK bën thirrje te qytetarët që të kontribuojnë në përmirësimin e ekosistemit që nënkupton:
- Të punohen të gjitha tokat e punueshme;
- Të kositen livadhet me kohë dhe nga disa herë;
- Të pastrohen kopshtet dhe pronat përreth shtëpive
- Të pastrohen fermat ku mbahen bagëtitë dhe të largohen rriqrat nga trupi i kafshëve;
- Të kihet kujdes në veshmbathje për të gjithë fermerët dhe anëtarët e tyre të familjeve që punojnë në fushë, ku nuk duhet të lihen këmbët e zbathura
- Fëmijët mos të lejohen të luajnë në livadhe e kopshte të pa kositura dhe në mbrëmje të kontrollohen (nga prindërit) për praninë ose jo të rriqrave në trupin e tyre.
- Personat e pickuar nga rriqrat duhet të trajtohen në qendrat e Mjekësisë familjare në komunat përkatëse, ndërsa sipas nevojës, ata referohen për trajtime në repartet infektive të spitaleve të përgjithshme dhe në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
- Trajtimi i Etheve Hemorrgajike bëhet përmes terapisë mbështetëse, me antiviral si Ribavirina dhe imunoterapi pasive.