Site icon PrishtinaPress

RrGK kërkon qasje të drejtë të zbardhjes së vrasjes së Liridona Murselit

Rrjeti i Grave të Kosovës ka shprehur shqetësimin që edhe një rast i vrasjes së gruas, dyshohet të jetë femicid.

Pas lajmit për arrestimin e bashkëshortit të viktimës Liridona Murseli, e vrarë më 29 nëntor në fshatin Sinidoll, afër Prishtinës, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon që hetimi i këtij rasti të trajtohet me urgjencë dhe qasje të drejtë për ta zbardhur këtë tragjedi.

Me anë të një kumtese për media kërkohet nga institucionet që lënda të cilësohet si “Vrasje e rëndë” dhe të dënohet konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe ftohet Qendra për Punë Sociale që të angazhohet për të siguruar mirëqenien e fëmijëve.

“RrGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit. Gjithashtu, RrGK do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore”.

“RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 048 105 800”, thonë nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Exit mobile version