Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) është vlerësuar si cenuese e interesave shkencore, kulturore dhe zhvillimore të Kosovës.
Rreth 50 nënshkrues të një peticioni, kryesisht profesorë të UP-së, kanë quajtur ASHAK-un një institucion të korruptuar dhe keqpërdorues dhe kanë ftuar Kuvendin që t’i shikojë pasojat e dëmet e veprimtarisë së ASHAK-ut, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Këta e kanë quajtur Akademinë cenuese të interesave shkencore, kulturore dhe zhvillimore të Kosovës.
Zgjedhjet e fundit në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, sipas grupit prej 47 profesorëve, janë vazhdimësi shqetësuese e një rrënimi të madh e të pakthyeshëm të këtij institucioni, shkruan “Zëri”.
“Zgjedhjet e fundit në të vërtetë dhanë alarmin se kjo Akademi nuk ka shërim, prandaj as shpëtim sepse kur e keqja përsëritet, kur paligjësitë, shpërdorimet, padrejtësitë, fyerjet bëhen sistemore, shpresa për t’u kthyer mbarë vdes”, thuhet në reagimin e përbashkët.
Këta profesorë shprehen se Akademia ka mungesë të strategjisë shkencore, pastaj të projekteve të mëdha e të vogla të rëndësisë kombëtare, ka mungesë të platformave që do të kishin objekt proceset zhvillimore të fushave jetike për Kosovën.
Në mes profesorëve që kanë nënshkruar peticionin janë: Emin Kabashi, Agim Vinca, Sadri Fetiu, Shefkije Islamaj, Hakif Bajrami, Shefki Sejdiu, Basri Qapriqi, Rifat Blaku, Sali Bytyqi, Ag Apolloni, etj.