Dhjetëra-mija vëzhgues e komisionarë pritet të angazhohen në zgjedhjet e 6 tetorit, në mënyrë që të parandalohet manipulimi i votave. Përpos vëzhguesve të partive politike dhe organizatave joqeveritare, gjatë zgjedhjeve nacionale pritet që në Kosovë të qëndrojë edhe një mision vëzhgues nga BE-ja.
Sikurse në zgjedhjet e kaluara, edhe në zgjedhjet e 6 tetorit pritet të angazhohet një numër i madh i vëzhguesve dhe komisionarëve.
Ndonëse ende nuk është caktuar numri i saktë tyre, anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë thënë për gazetën se numri i vëzhguesve dhe komisionarëve pritet të jetë i ngjashëm sikurse në zgjedhjet e 2017-s.
Ndërkohë në zgjedhjet nacionale të mbajtura para dy vjetësh ishin angazhuar rreth 30 mijë vëzhgues dhe rreth 20 mijë komisionarë, shkruan më tutje Gazeta ‘Zëri’.
Në kuadër të kësaj përfaqësues të rrjetit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) kanë bërë të ditur se vetëm nga DnV-ja do të jenë të angazhuar rreth 3 mijë vëzhgues gjatë procesit zgjedhor.