Sëmundja e lëkurës tek gjedhet, ajo e Gungores, tanimë është përhapur në të gjitha komunat e Kosovës. I prekur nga sëmundja gungore e gjedheve të tij është edhe fermeri nga komuna e Kaçanikut, Nexhmedin Luta.
Ai i ka mbi 50 krerë lopë – katër prej tyre i kanë ngordhur për shkak të kësaj sëmundje, ndërsa katër të tjera janë të infektuara.
Sipas tij, ndihma e vetme që ka marrë nga institucionet ka qenë gropimi i katër lopëve të ngordhura.
“Mbi 500 euro kemi bërë shpenzime me veterinarin privat me të cilin jemi duke u munduar t’i shpëtojmë lopët, por ka qenë e pamundur pasi nuk kemi medikamente kundër kësaj sëmundje. Kjo sëmundje bartet nga insektet dhe është shumë vështirë ta parandalosh. Nuk kemi vaksina. Përdorim vetëm mjete parandaluese por nuk ka mundësi”, ka thënë ai për Telegrafin.
Fermeri Luta tha po ashtu se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nuk i ka ndihmuar.
“Nëse ngordh lopa, Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinarisë vijnë të bëjnë vërtetimin e lopës së ngordhur, fotografimin, gropimin dhe asgjë tjetër. Ka shumë fermerë, gjegjësisht lopët e tyre, që preken nga kjo sëmundje. I kam të punësuar tre punëtorë të fshatit dhe s’kemi çka me bo”, rrëfen fermeri nga Kaçaniku.
Ndërsa, zyrtari për informim Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se janë duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet lokale (komunat), fermerët dhe praktikat veterinare të licencuara nëpër komuna për menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj situate.
Sipas tij, 200 krerë të gjedheve deri më tani kanë ngordhur, ndërsa numri i rasteve të reja të paraqitjes së Sëmundjes Gungore të Lëkurës së Kafshëve është më i madh dhe se ky numër në çdo moment mund të ndryshojë.
“Të gjitha rastet e dyshimta lajmërohen dhe kryhen të gjitha hulumtimet diagnostike. Bëhet trajtimi i fermave të prekura dhe merren të gjitha masat adekuate konform rregullave ligjore, dhe atyre profesionale. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetit të Kafshëve të AUV-së i kemi të raportuara si të ngordhura afërsisht 200 krerë gjedhe”.
Thaçi tha se inspektoret e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë janë në vazhdimësi në terren duke monitoruar gjendjen.
“Ne jemi në koordinim edhe me autoritetet tjera sidomos me ato komunale ku bashkërisht kemi bërë groposjen e kafshëve të ngordhura. Ne i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet me kohë, po ashtu ftojmë fermerët që të iu përmbahen rekomandimeve të AUV-së dhe veterinareve të terrenit me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik”, tha zyrtari për informim nga AUV, Lamir Thaçi.
Ndonëse nuk ka dhënë detaje ai ka thënë se bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të gjitha gjedhet e ngordhura të fermerëve do të kompensohen.
Javë më parë ishte thënë se rreth 250 mijë krerë gjedhi në tërë vendin do të vaksinohen kundër sëmundjes gungore të lëkurës.
Për këtë Qeveria e Kosovës kishte ndarë rreth 1,1 milion euro për blerjen e këtyre vaksinave, pasi kjo sëmundje u përhap shumë shpejt duke i lënë të ngordhur shumë gjedhe.
E ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi, kishte sqaruar se nga këto mjete do të kompensohen edhe fermerët, të cilëve u kanë ngordhur gjedhet.
“Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë rreth 1.1 milionë euro për parandalimin dhe luftimin e sëmundjes gungore te gjedhit. Këto mjete do të jenë të mjaftueshme për të përfunduar vaksinimin e të gjitha gjedheve në territorin e Republikës së Kosovës e po ashtu edhe kompensimin e fermerëve që kanë pësuar humbje të gjedheve nga kjo sëmundje. Unë do të vazhdojë të jem në kontakt me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në mënyrë që vaksinimi të ketë efektin e vet, e po ashtu që edhe kompensimi për fermerët që kanë pësuar, të bëhet me kohë”, kishte shkruar Krasniqi në Facebook. /