Rreshtimi pro-SHBA-së apo BE-së, reflektim i pasigurisë në raport me dialogun

40
Advertisement

Polarizimet e brendshme politike në Kosovë po manifestohen edhe në raportet e institucioneve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, thonë analistët politik në Prishtinë.

Advertisement

Sipas tyre, deklaratat që shpesh janë dëgjuar nga disa liderë politik në Kosovë se SHBA-ja apo BE-ja mund të ofrojnë apo imponojnë zgjidhje të caktuara në kuadër të dialogut me Serbinë, janë të paqëndrueshme dhe më shumë tregojnë për paaftësinë e liderëve kosovarë që ata të ndërtojnë vet një platformë e qëndrim në lidhje me këtë proces.

Demush Shasha, drejtor Ekzekutiv i Institutit EPIK, tha për Radion Evropa e Lirë se polarizimi ndaj partnerëve të jashtëm të Kosovës është reflektim i polarizimit të brendshëm të skenës politike në Kosovë.

“Pra, një anomali të brendshme, tani jemi duke e eksportuar edhe në politikën e jashtme”, thotë ai.

Përçarjet e brendshme, ai i sheh sidomos në raport me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, për të cilin mendon se asnjëherë nuk ka gëzuar konsensusin e gjerë të spektrit politik të Kosovës dhe kjo më pastaj është reflektuar edhe në aspekte tjera të marrëdhënieve me SHBA-në e BE-në.

“Problemin nuk e shoh në Bruksel, Berlin apo Uashington, por në Prishtinë tek mungesa e konsensusit politik për t’iu qasur njëzëri normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, thekson Shasha.

“Konsideroj se tentativat për rreshtim karshi SHBA-së apo BE-së janë të gabueshme dhe vetëm do t’i bëjnë dëme shtet-ndërtimit të Kosovës. Historia ka dëshmuar se Kosova ka fituar çdoherë kur ka qenë shtyllë unifikuese e aleatëve transatlantik – jo faktor përçarës”, thotë Demush Shasha.

Dialogu me Serbinë, sipas analistëve, edhe në të kaluarën ka përçarë liderët dhe partitë politike në Kosovë për shkak të thellimit të mosbesimit të ndërsjellë. Udhëheqësit politikë në Kosovë, shpesh kanë akuzuar njëri-tjetrin se po rreshtohen pas opsioneve, të cilësuara si të dëmshme për Kosovën në dialogun me Serbinë, siç janë ndarja, shkëmbimi i territoreve apo ideja e krijimit të një lloj republike serbe brenda Kosovës.

Një qasje e tillë, shpesh i ka tejkaluar suazat e politikës së brendshme, duke i renditur edhe liderët e shtetet botërore se kush është për e kush kundër këtyre opsioneve.

Analisti politik, Faton Abdullahu, thotë se polarizimet kanë ekzistuar, por ato janë theksuar sidomos kohët e fundit si pasojë e qasjes së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, në raport me dialogun me Serbinë.

“Ne në Kosovë kemi pushtetarë, në këtë rast kryeministrin Kurti, i cili paragjykoi dialogun me Serbinë. Ky paragjykim solli një lloj refuzimi, një lloj frike nga oferta që mund të bëhej për dialogun me Serbinë. Kjo ishte baza mbi të cilën mandej ai u përcaktua më shumë për Brukselin duke shpresuar se do të gjejë ndihmë për atë që ai e paragjykonte se në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, po na bëhej një marrëveshje e cila do të ishte në dëm të Kosovës”, thotë Abdullahu.

Përplasjet e Kurtit me SHBA-në, sipas Abdullahut, sollën si rezultat shkëputjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni me Kurtin dhe Vetëvendosjen, nën pretendimin se LDK është parti pro-amerikane.

“Një rreshtim i tillë, jo i zakonshëm dhe për herë të parë që nga paslufta, pati dy kahje të kësaj natyre, lindi dhe u stërkeq me qeverinë Kurti. Kjo është e dëmshme, por mendoj se duhet të tejkalohet”, thekson ai.

Që të tejkalohet qasja se kush është më shumë pro e kush kundër SHBA-së, Abdullahu thotë se është e nevojshme që Kosova të kthehet në agjendën e saj euro-atlantike dhe në agjendën që synon raporte miqësore me Uashingtonin.

Dialogu i stërzgjatur dhe mungesa e liberalizimit të vizave – pakënaqësitë me BE-në

Derisa Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti po fajësohen nga pjesa tjetër e spektrit politik për dëmtimin e raporteve të Kosovës me SHBA-në, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe Partia Demokratike e Kosovës, në shumë raste e kanë shprehur hapur mosbesim e tyre në Bashkimin Evropian, sidomos në lidhje me rolin e Brukselit në dialog dhe mungesën e vendimmarrjes për sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kurse së fundi, nuk ishin të pakta reagimet në Prishtinë edhe në lidhje me deklaratën e Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell në lidhje me idenë e ndryshimit të kufijve si rezultat i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk na takon neve t’iu themi serbëve dhe kosovarëve se për çfarë duhet të pajtohen ata apo jo. Nëse ata merren vesh për diçka, ne duhet gjithsesi ta studiojmë atë marrëveshje, sepse secila marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës ka ndikim në rajon”, ka thënë ndër tjera Borrell.

Pas 11 vjet, sa BE-ja ka qenë në krye apo udhëheqje të dialogut dhe mungesës së marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka thënë hapur se dialogu duhet të udhëhiqet nga SHBA-ja. Edhe LDK-ja, e cila po pretendon të formojë qeverinë e ardhshme, në disa raste është shprehur në favor të rolit udhëheqës të SHBA-së në dialog.

Dialogu me Serbinë parashihet të përmbyllet me një marrëveshje, siç është paralajmëruar historike dhe të obligueshme për të dy shtetet, andaj në Kosovë, rreshtimi në anën e SHBA-së, sikur u jep më shumë siguri shumicës së udhëheqësve kosovarë në prag të asaj që është quajtur si “finalja e madhe” e dialogut.

Taksa, pikënisja e cenimit të raporteve me SHBA-në

Përderisa Prishtina zyrtare apo një pjesë e lidershipit, po kërkon një lloj bartje të procesit të dialogut nga Brukseli në Uashington, detyra e parë që parashihet për qeverinë e ardhshme të Kosovës, qoftë ajo e formuar para apo pas zgjedhjeve, konsiderohet të jetë rikthimi i besimit të luhatur tek administrata amerikane.

Luhatja e raporteve të Kosovës me SHBA-në, në fakt kishte nisur shumë më herët, që nga fundi i vitit 2018, kur qeveria e atëhershme e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kishte vendosur taksën apo tarifën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, çka ishte bërë pengesë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Më 12 shkurt, 2019, përfaqësuesit e Kosovës patën pranuar një letër nga zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët kanë shprehur zhgënjimin e tyre lidhur me mospezullimin e taksës doganore.

Në letrën të cilën e kishin nënshkruar, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, ndihmëssekretarja e Mbrojtjes, Laura Cooper dhe zëvendësdrejtori për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Earth, thuhej se pas kërkesave të vazhdueshme të SHBA-së për pezullimin e tarifës, kanë vendosur që të ndërmarrin hapa “për të shprehur shqetësimin tonë, përfshirë edhe partneritetin tonë në fushën e sigurisë”.

“Kosova nuk ka mik më të mirë se Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar së bashku për vite të tëra për të ndërtuar të ardhmen, për popullin e Kosovës që të jetojë ashtu si ka zgjedhur, në paqe. Është e pabesueshme që pas gjithë asaj që kemi bërë së bashku, Kosova vlerëson miqësinë tonë kaq ulët, aq sa të injorojë këshillën tonë”, thuhej në atë letër, e cila më pas gradualisht u përsërit në deklaratat e shumta të zyrtarëve amerikanë që shprehnin hapur mospajtimet e tyre me bllokimin e dialogut përmes taksës doganore.

Refuzimi i vazhdueshëm, fillimisht i qeverisë Haradinaj e më pas asaj Kurti për shfuqizimin e tarifave dhe fillimin e dialogut, kishte sjellë si rezultat pezullimin e programeve të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC) në Kosovë. Kurse ndër masat më të ashpra ishte paralajmërimi për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova. /REL/

PostAdssFotoja e reklamës