Ndërmarrja publike lokale “Prishtina Parking” nga e hëna do të ketë një rregullore të re për menaxhimin e parkingjeve në kryeqytet.
Për ndryshimet që do të bëhen, ajo ka dalë me një njoftim për banorët rezidentë të kryeqytetit.
“Prishtina Parking” ka radhitur veprimet që qytetarët duhet të bëjnë.
Kjo ndërmarrje më herët kishte njoftuar se si rezultat i hyrjes në fuqi të rregullores së re, do të rimbursojë 1 mijë e 862 qytetarë të cilët janë në parapagim në vlerë prej 44 mijë e 130 euro.
Njoftimi i plotë:
Ditën e hënë me datë 22 Janar 2024 hyn në fuqi rregullorja e re për menaxhimin e parkingjeve në Kryeqytet.
Cilat janë veprimet që duhet të ndërmerren nga banorët rezidentë?
– të presin që brenda 30 ditëve të ardhshme të kontaktohen nga N.P.L. Prishtina Parking.
– në kontaktin që do e realizojmë do të informojmë banorët nëse dokumentet e tyre të dorëzuara më herët janë të plota.
– nëse dokumentacioni është i plotë, banorët do të ftohen të vizitojnë zyrat e N.P.L. Prishtina Parking për të realizuar kontratat e reja dhe pagesën e njëhershme administrative prej 10 euro.
– nëse dokumentacioni nuk është i plotë, banori do të informohet se cilin dokument shtesë duhet ta plotësojë.
– të gjithë banorët e regjistruar më herët do të kontaktohen brenda kësaj periudhe. Gjithashtu, përgjatë kontaktit do të informohen banorët që kanë parapagim për t’u rimbursuar.
– deri në përfundim të kësaj procedure zyrat mund t’i vizitojnë banorët që nuk kanë qenë më herët të inkuadruar në sistem si banorë rezident apo ata të cilët kanë ndryshuar adresat ose automjetet (targat).