Katër ditë para “Alpha Show 2”, Noizy, ndërkohë që përgatitet të dhurojë spektakël, ka marrë dhe kohën e duhur për të reflektuar, falenderuar miqtë, personat e afërt dhe familjarët, si dhe për t’u kërkuar atyre një ndjesë publike dhe të sinqertë për të gjitha sfidat dhe shqetësimet që mund t’u ketë sjellë gjatë karrierës dhe rrugëtimit të tij.
Në një video të postuar në llogarinë e “Alpha Show” në Instagram, Noizy shprehet:
“Do të doja t’i falenderoja të gjithë ata që kanë besuar tek unë sepse bëhet fjalë (për një kohë të gjatë) që kur isha në Angli, para se të kthehesha. Sapo ishim formuar si grup dhe unë u thashë disa prej miqve të mi më të afërt që do të kthehesha në Shqipëri dhe do të bëhesha më i madhi (referuar suksesit në muzikë) dhe të gjithë çunat u mërzitën jashtëzakonisht shumë, sepse isha unë ai që formoi grupin dhe në mendjen e tyre ishte (pyetja) “Si mund të ikë lideri?” ose personi që investoi kaq shumë energji dhe kohë, me mendimin se në Shqipëri do të bëjë diçka që s’është parë më përpara”.
Noizy rrëfeu të gjitha sfidat e tij në vendin tonë, duke treguar sakrificat për të ndjekur ëndrrën, pasionin dhe karrierën:“Erdha në Shqipëri, e investova gjithë kohën time në muzikë, lashë veten mënjanë, nuk u kujdesa për shëndetin, sepse ndoqa muzikën. Nuk u kujdesa për gjërat e mia më intime, pasi i kushtova vëmendje muzikës dhe ja ku jemi sot dhe për këtë, sinqerisht, dua të falenderoj të gjithë miqtë e mi që më mbështetën dhe s’më lanë asnjëherë ta bëj këtë rrugëtim i vetëm”.Noizy nuk e kurseu edhe një kërkesë faljeje, pasi ndonjëherë edhe ai nxitohet dhe bëhet nevrik, por miqtë e falin shumicën e kohës.“Ndonjëherë unë nxitohem e jam pak nevrik, e ndaj dhe ata ma falin shumicën e kohës. Por asnjëherë nuk i kam qëllimet e këqija, as ndaj atyre e as, ndaj çfardolloj personi kështu që miq, dashamirës, ju falenderoj nga zemra që më keni mbështetur të vij deri këtu. Nuk janë fjalë që thjesht po i përsëris, por askush nuk mund të arrijë asgjë pa miq e pa njerëz që ta duan të mirën”.