1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Rrëfimi i dëshmitarit të masakrës së Mejës: Pasi i kanë vra, kanë tentu t’i djegin trupat

Janë bërë 24 vjet kur në Mejë të Gjakovës, nga forcat ushtarake e policore janë ekzekutuar 376 shqiptarë, kryesisht meshkuj të moshës mes 14 dhe 60 vjeç.

Të mbijetuar e familjarë të viktimave kanë rrëfyer për tmerrin e përjetuar. Dhimbja për ta nuk është zbehur as sot, derisa më të vështirë e përshkruajnë kohën kur nuk dinin asgjë për më të dashurit e tyre dhe kur kanë pranuar mbetjet e trupave të tyre disa vjet pas ekzekutimit

Valon Rexha ishte vetëm nëntë vjeç kur në fshatin Mejë të Gjakovës u bë dëshmitar i njërës nga masakrat më të tmerrshme të kryera nga forcat serbe në Kosovë. Më 27 prill të vitit 1999, në këtë fshat u vranë 376 civilë shqiptarë, kryesisht meshkuj të moshës 14 dhe 60 vjeç.

Rexha është nga fshati Nivokaz, por gjatë luftës me familje ka qëndruar në fshatin Racaj. Mëngjesin e 27 prillit nga forcat ushtarake policore, së bashku edhe me banorë të tjerë ai dhe familja e tij ishin dëbuar nga shtëpitë ku ishin strehuar, për t’u urdhëruar që të vazhdonin rrugën përmes Mejës drejt Shqipërisë.

Rruga në fshatin Mejë atyre u është ndërprerë në gjysmë, në një pikë ndalese nga forcat serbe, ku djemtë e burrat u ndanë nga familjarët e tyre. Në mesin e tyre edhe babai, gjyshi e familjarë të tjerë të Valonit.

“I kanë futë në një lendinë, më kujtohet si sot që i kanë detyru gjithmonë me i mbajtë duart prapa kokës edhe me qëndrua të ulur me duar prapa kokës”, rrëfen Rexha, i cili ndonëse i ri në moshë, në detaje kujton atë që ka ndodhur.

Duke i lënë pas e pa ditur se çfarë do të ndodhë me ta, drejtimin e karrocës me kuaj të mbushur me familjarë e kishte marrë motra e Valonit, rreth 13 vjeçe në atë kohë.

Fatin e Valonit nuk arriti që ta kishte djali i Musa Beqirajt, Arsimi, 16-vjeçar. Ai ishte në mesin e 376 personave të vrarë në Mejë. Musa Beqiraj të vërtetën e dhimbshme e kuptoi një vit më vonë, pasi doli nga burgu. Ndonëse e kërkoi disa herë, familjarët nuk i treguan për atë që i kishte ndodhur Arsimit. Fillimisht iu tha se është për vizitë te dajtë e tij, e më pas iu kumtua lajmi për vrasjen e tij.

“Vëllai më tha bonu i fortë, mos u mërzit. Mërzi boll po çka ki me bo”, thotë Beqiraj, i cili Arsimin 16-vjeçar e përshkruan si djalë të zhvilluar më shumë sesa për moshën që e ka pasur, gjë për të cilën edhe beson se ka qenë arsyeja e ndarjes së tij nga pjesa e familjes në kolonën drejt Shqipërisë.

Bashkëmoshatar i Arsimit ishte edhe Arbër Zyberi nga fshati Molliq. Ai u vra tri ditë pa mbushur të 17-at. Së bashku me të u vranë edhe xhaxhai e kushërinj të tjerë.

Babai i Arbrit, Selimi për fatin e djalit të tij ka marrë vesh pasi është kthyer nga Shqipëria, ku për disa muaj është strehuar me pjesën tjetër të familjes për shkak se ishte i përndjekur nga forcat serbe.

“Im bir ka qenë me një plak, në shtëpinë e të cilit kanë qenë, edhe ai u kundërshton policisë sepse ky ishte i ri. Ishte në moshën e re. Policia e kishin rreh plakun 80 vjeç Sadri Rrustemin, e kishin përgjakur edhe e kanë zbritur edhe tim bir”.

Trupin e djalit e vëllait të tij, Selim Zyberi, e kërkoi në vendin ku ata u pushkatuan nga forcat serbe. Por, në lëndinën që tani njihet si Lëndina e Pikëllimit, ai gjeti vetëm gjymtyrët e poshtëm të të vëllait, e për të cilin tha se ka identifikuar nga veshja.

“Pasi i kanë vra, kanë tentu t’i djegin trupat. Kishin marrë tallë te do shpija që ishin përballë lëndinës dhe ua kishin shti flakën. Por me qenë se kishte kaluar një aeroplan përmbi në ato qaste, ata ishin frikësu edhe e kanë fikë zjarrin edhe i kanë marrë e qit nëpër kamionë njerëzit e vrarë”, tregon Zyberi, e i cili thotë se veshjet e djegura i kanë hasur edhe te disa viktima të tjera, që janë gjetur e identifikuar më vonë.

Procesi i vështirë i gjetjes së familjarëve të zhdukur

Eshtrat e shumicës së viktimave të Masakrës së Mejës e Korenicës u gjetën më vonë. Vitet deri në gjetjen e tyre familjarët i përshkruajnë të tmerrshme. Në ethe e me terrin e informacioneve për më të dashurit e tyre, ata u përballën edhe me lajme e informacione të rreme. Për dikë thanë se janë gjallë në burgjet e Serbisë, e për dikë se janë dërguar për të punuar në Rusi.

Dëshmitari i masakrës së Mejës, Valon Rexha, që në prill të 1999-s ishte nëntëvjeçar, thotë se nuk kanë pasur informacione për familjarët e tij deri në kohën kur janë njoftuar nga institucionet e asaj kohe për gjetjen e mbetjeve mortore.

Rexha trupin e babait e gjeti katër vjet pas zhdukjes së tij.

“Më shokuese për çdo familjar, për çdo familje ka qenë se është abuzuar shumë me lajme të rrejshme, me dezinformata, asnjëherë askush nuk ka thënë që kanë vdekur përfundimisht ose janë të vrarë përfundimisht”, tregon Rexha, tash 33 vjeç, e i cili thotë se dhimbja e tyre ka qenë më lehtë e përballueshme me të gjetur e varrosur kufomat.

“Dilshin në Merdar e bojshin pazare me njerëzit tanë, me njerëzit e vrarë edhe u lypshin pare për me hulumtu se kinse ka burgje private. Njerëzit mashtroheshin i jepnin paret, ata kurrë më nuk dilnin për t’u takuar me ta edhe për t`iu dhënë sqarime”, tregon në anën tjetër Selim Zyberi.

Ai nuk është në gjendje të thotë me shifra se sa herë ka qenë në pikën kufitare në Merdar për të kërkuar informacione jo vetëm për familjarët e tij, e edhe për të pranuar eshtrat e të gjitha viktimave.

Në grupin e parë të arritjes së kufomave, e që Zyberi thotë se ka qenë në maj të 2003-s, ka qenë edhe djali i tij. Ndonëse ka qenë pjesëmarrës në pranimin e kufomave, konfirmimin se në mesin e tyre ishin edhe mbetjet mortore të birit të tij Arbrit, Zyberi e mori më vonë.

“Eshtrat në Merdar, kam qenë vetë, unë kam qenë pjesë edhe i kemi marrë eshtrat me plastmasta, me numra kanë qenë. Na nuk e kem ditë të kujt kanë qenë, por vetëm e kemi ditë numrin se ishte 19”.

Sipas tij, nga Meja trupat e të vrarëve prej forcave serbe janë dërguar në Batajnicë, në poligonin e një kazerme ushtarake e mbi ta është ndërtuar një fushë sporti.

Ndër më të vështirat ai e përshkruan kohën kur ka marrë lajmin nga institucionet për identifikimin e djalit të tij dhe njoftimin e gruas.

“Isha pi, nuk ndjeja kurgjo, aq shumë që isha pikëllu, por e mbajsha veten e shtrengojsha veten që së paku edhe atë mos ta boj si veten. Jam shku, i thashë: Sevdije – tha fol. A erdhe a – thashë po. Zoti të lashtë shnosh për djalë. Djalin na e kanë vra. Na duhet me u bo të fortë me prit e me përcjellë njerëzit që vijnë për ngushëllime”, rrëfen Zyberi momentin më të vështirë të jetës.

Një vit më pas, më 2004-n në Kosovë kanë arritur edhe mbetjet mortore të Arsimit, djalit të Musa Beqirajt. Pa e ditur se në mesin e tyre ishte djali i tij, Beqiraj ardhjen e kufomave e priti në Merdar.

“S`dishim kurgjo. Vec kur na i bijshin në thasë edhe veç i gjujshin, ata serbët sikur naj farë druni, a farë diçka, a farë thesi të miellit, veç i gjujshin e nuk dijshim kush është e çka është. Shumë rëndë për babë e për nanë, është shumë ron, se je veç në pritje, je t’u këqyr çdo lëvizje, çdo hymje, çdo dalje në shpi tane, pret diçka me të thanë dikush e masi janë dalë bile boll që po vijmë po pushojmë kapak qetu edhe mërzitu çmërzitu, jeta vazhdon, çka me bo, s`ki çka me bo, veç jemi mërzitun shumë”.

Paraprakisht familjarët kanë kaluar në një proces të gjatë të marrjes së mostrave të gjakut në mënyrë që të bëhej identifikimi i personave të zhdukur.

“Na kanë thanë janë do kufoma, supozohet se janë edhe të juajatm kur të vini atje keni me i shiku. Kur kemi shku për shembull secila familje në bazë të dokumentacionit, në bazë të analizave, në bazë të raporteve mjekësore i kanë konfirmu kufomat e veta”, përshkruan identifikimin e familjarëve të tij Valon Rexha.

Të zhgënjyer me institucionet

Pas identifikimit të trupave, në fshatin Mejë, aty ku ka ndodhur masakra, janë varrosur të gjithë të vrarët nga fshatrat përreth, të besimit mysliman e katolik, pa bërë dallime.

Kompleksi memorial, 15 vjet pas ndërtimit nuk është përfunduar ende. Një pjesë e tij ka filluar të dëmtohet e pjesa tjetër ende nuk është e shfrytëzuar. Të zhgënjyer me trajtimin që është duke u bërë, thonë të tre përfaqësuesit e familjeve Rexha, Zyberi e Beqiraj.

“Mbas lufte mendoj se si shtet, si breza politikë pa marrë parasysh… mendoj që çdo udhëheqësi që ka ardhur, si nga ajo komunale, si ajo qendrore është bërë shumë pak. Po e shihni edhe vetë, ende mbas 24 vjetësh ende është projekt i papërfunduar i varrezave çka mendoj që moti është dashtë me kanë i harruar si projekt”, thotë Valon Rexha nga fshati Nivokaz i Gjakovës e që në masakrën e Mejës ka të vrarë babën, gjyshin e kushërinjtë.

Shpresat se do të ketë ndryshime, Selim Zyberi thotë se i kanë pasur të larta me t’u shpallur Pavarësia e Kosovës. Por, ato u janë venitur e shndërruar në mllef pasi, sipas tij, nuk është bërë asgjë jo vetëm për kompleksin, por as që të vihen para drejtësisë ata që kanë kryer krime në këtë komunë.

“Asnjëra prej qeverive nuk është interesuar në mënyrë të mirëfilltë dhe të ndershme, njerëzore për martirizimin e këtyre njerëzve të cilët u vranë pa fije haku, njerëz civilë pa armë”, thotë ai. “Qe kjo qe sa vjet as nuk ka ndriçim, as nuk ka një tavolinë aty ku me hi, jo sot po sot… Nuk jem të kënaqur me asnjë hiç, prej fillimit e deri në këtë minutë, me asnjë hiç, jo veç në qeta të mbramën, por me asnjë. Kurrë s’janë kujdesur për neve. Më vjen keq që e them, por është shumë e vërtetë”, thotë Musa Beqiraj, babai i Arsimit, 17-vjeçarit të vrarë në Masakrën e Mejës.

Sulmi në Mejë dhe Korenicë erdhi një muaj pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë e mbetur. Të vrarë llogaritet se janë 376 civilë. Mijëra të tjerë u dëbuan për në Shqipëri, derisa rreth 13 të tjerë konsiderohen ende të zhdukur.

Lidhur me hetimet për këtë masakër të Mejës e Korenicës, që njihet si më të mëdhatë të kryera në Kosovë, KOHA ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria Speciale, por përgjigje nuk ka marrë./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img