Kushtet e rënda financiare e shtyen 21 vjeçaren nga Prizreni të kërkojë punë në kompmani të ndryshme private. Por, thotë se nuk i priu fati dhe kështu e lodhur nga kjo situatë ajo pranoi të punësohet në një nga të ashtuquajturat qendrat e masazhit në Prishtinë, e që po e njëjta ofronte shërbime seksuale.
Në një bisedë për “Indeksonline”, ajo rrëfen për momentet e rënda që kaloi për rreth 3 muaj, derisa nisin të lindin dyshimet se ajo po punonte në një sallon të tillë.
Derisa ndihej e dëshpëruar, një njoftim për punë që pa në rrjetet sociale i dha shpresë asaj se mund të krijonte një jetë më të mirë financiare.
“Po lajmërimin për punë që e pata pa u kan te një grup i femrave në Facebook, megjithëse unë hiç lidhje s’kam pas me masazhe, po kur shkova aty me thanë që m’ndihmojnë për gjithçka, e tmerrshme, bile qat ditë ja pata fillu kur më tregun qysh jonë senet. Jemi kon 4 qika, e familjes i kam thanë që jam punësu në një shitore të ‘1 eurove’, s’kanë pas mundësi me ditë ku jam tu punu se rrallë kanë ardh në Prishtinë”, ka thënë ajo gjatë bisedës.
Po e njejta, shërbeu në një nga këto qendra relaksi në kryeqytet derisa lindën dyshimet nga disa të afërm të saj.
“Nëse hynë aty është shumë vështirë me dalë. Pronarët dinë me të mbajtë nën kontroll, na kanë jap edhe bari që me qenë ma të hutume. Dita na ka dalë diku prej 100 deri 150, varësisht nga klientët. Momenti ma i vështirë për mu ka qenë kur aty më ka pa një i afërm dhe nisën të përhapeshin fjalë se unë po punojë aty”, vlerëson tutje 21-vjeçarja.
Megjithëse e kishte të vështirë të largohej nga ky vend i punës, ajo thotë se pas 3 muajve me shumë vështirësi arriti të ndërpriste kontraten e punës.
“As gjumin nuk e bëja si duhet, ka pas meshkuj të ndryshëm, ka pas edhe shumë të shkollave të mesme, nuk mundem me folë ma shumë, kanë qenë ditët më të vështira për mu. S’muj me fol ma shumë kurgjo.”, ka thënë në fund ajo pa dashur të japë më shumë detaje rreth punës që e kreu në këtë fillim vit.
E ndërkohë që interesimi i individëve të ndryshëm për të hapur një ‘biznes’ të tillë po rritet dita-ditës.
Kështu, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë u ka dhënë licensën 330 lokaleve për të kryer masazhe të ndryshme relaksi, sipas kësaj ministrie në 9-mujorin e këtij viti lejen për të zhvilluar këtë biznes kanë marrë hiç më pak se 43 operatorë.
“Numri i bizneseve në Kosovë që ofrojnë masazhe janë: 330 Biznese. Bizneset e tilla që janë çertifikuar brenda këtij viti janë: 43 Biznese”, bënë të ditur MTI me anë të një përgjigjeje elektronike. Por, jo të gjitha këto ndërmarrje po i përmbahen kontrates dhe pikave që mund të ushtrojnë si biznes, për shumë nga to ka dyshime se ushtrojnë veprimtari të kundërligjshme- prostitucion. Kështu, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë respektivisht Inspektorati i Tregut me kërkesë të Policisë së Kosovës njësia kundër trafikimit të qenieve njerëzore, dhe në bashkëpunim me Inspektorët komunal të Komunës së Prishtinës, Inspektorët e Punës, Inspektorët e ATK-së, gjatë muajit Shkurt 2018, kanë zhvilluar inspektime të përbashkëta tek 26-të Operatorë Ekonomik të cilët kanë realizuar aktivitete për mirëmbajtje trupore dhe ofrim të shërbimit të masazhave të ndryshme në Komunën e Prishtinës.
Qëllimi i këtyre inspektimeve ka qenë verifikimi nëse të njejtat ushtrojnë veprimtarinë në pajtim me legjislacionin në fuqi.
“8 Operator Ekonomik janë mbyllur përkohësisht nga Inspektorët Komunal të Komunës së Prishtinës, për shkak se kanë zhvilluar veprimtarinë dhe nuk kanë qenë të pajisur me Aktvendimin mbi plotësim e kushteve minimale teknike dhe higjieno sanitare; 17 Operatorëve Ekonomik , inspektorët e tregut kanë shqiptuar gjobë për shkak se nuk kanë vendosur në vend të dukshëm çmimoren për shërbimet e ofruara; kurse 6, prej tyre kanë ushtruar veprimtarinë në pajtim me ligjet e aplikueshme.”, ka treguar Enxhi Stublla nga MTI për Indeksonline.
Për ushtrimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme, Policia e Kosovës gjatë vitit 2017 dhe tre mujorit të parë të këtij viti ka arrestuar 103 persona.
“Në pesë 5 vitet e fundit për veprën kundërvajtëse- Marrje me Prostitucion janë të arrestuar gjithësej 288 persona të dyshuar të ndarë sipas viteve: 2013-22, 2014-42, 2015-69, 2016-52, 2017-75 dhe tre mujori 2018-28.”, njofton Policia e Kosovës. Sipas policisë së Kosovës, nga numri i përgjithshëm i këtyre personave të arrestuar pjesa më e madhe janë me shtetësi të Kosovës, ndërsa një numëri i vogël janë nga Shqipëria.
Kështu, Policia e Kosovës është në dijeni dhe ka trajtuar disa raste që gjatë ushtrimit të bisnesit si sallone masazhi, janë kryer edhe veprimtari tjera të dyshuara qofshin ato të prostitucionit, mundësimit në prostitucion apo edhe te trafikimit me njerëz. “Qasja në trajtimin e këtyre rasteve është bërë bazuar në ankesat e qytetarëve por edhe sipas informacioneve që kanë ardhur nga tereni dhe veprimeve tona operative ku vendet më të prekuara janë qytete e mëdha. Numri i të arrestuarve që ndërlidhen me këto sallone masazhi në vitin 2017 dhe tre mujori (janar – mars) i viti 2018 është 28 persona të dyshuar. Ndërsa nga muaji mars 2018 deri me tani (20.09.2018) DHTQNJ, pas hetimeve te bëra ka realizuar 7 raste në 9 qendra të masazhes”, bënë të ditur tutje Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, të njejtit persona janë të dyshuar për vepra penale: trafikim me njerëz, mundësim ose detyrim ne prostitucion, ofrim i lokaleve për Prostitucion, bashkëkryerje, dhe prishje e rendit dhe qetësisë publikem marrje me prostitucion.
Foto ilustrim