Site icon PrishtinaPress

Rrëfimet e punëtorëve të dorëhequr në Veri, juristi serb: “Njerëzit qanin me lot si shiu, pa marrë parasysh përkatësinë etnike”

Juristi Marko Jakshiq, i cili deri më 7 nëntor ishte punonjës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, tha se dorëheqja nga puna ishte shumë emocionale dhe se të gjithë në atë institucion gjyqësor kanë bashkëpunuar, pavarësisht përkatësisë etnike.

“Së bashku e ndërtuam atë gjykatë për të mirën e të gjithë qytetarëve të këtij rajoni, shqiptarëve, serbëve, por edhe të gjithë të tjerëve”, tha ai dhe shtoi se “vendimet e gabuara” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti “sollën deri aty që njerëzit të qajnë me lot si shiu, pa marrë parasysh se cilës përkatësi etnike i takojnë”, tha ai për REL.

Ai theksoi se punonjësit e gjykatës do të mbeten miq mes vete, pavarësisht situatës politike.

“Ata nuk janë grindur me njëri-tjetrin, por janë ata që ishin të premten – kolegë dhe miq. Të tillë do të mbeten”, tha Jakshiq dhe shtoi se beson që nuk do të mbeten pa të ardhura.

Komenti i tij erdhi dy ditë pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj plani të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave që kanë targa serbe.

Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10 mijë makina me targa serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për riregjistrimin për targat.

SHBA-ja ka thënë se pajtohet me BE-në që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.

“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë Policinë, Gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Christopher Hill për televizionin N1.

Serbët ishin integruar në institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, pasi Prishtina dhe Beogradi kishin arritur një marrëveshje më 2013, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Exit mobile version