“Kisha pasur dëshirë të sqaroj një proces pasi e shoh që e shoh që shpesh qëllimisht edhe keqinterpretohemi në këtë fushë disa deputetë që jemi kundër kësaj mënyre të rregullimit me ligj të kësaj çështje. Me ligjin ekzistues lejohet që të bëhet procesi i fertilizimit edhe në QKUK. Arsyeja pse sot nuk bëhet ky proces në QKUK është për shkak të mungesës së investimit. Andaj, e para e punës që do të duhej të bëhej, që do t’ua lehtësonte qytetarëve që të mos paguajnë në spitale private, që të mos paguajnë në shtete të tjera për të kryer një proces që një çift një burrë dhe një grua që nuk mund të bëhen prindër në mënyrë natyrore, ta shfrytëzojnë këtë avancim të teknologjisë dhe të bëhen prindër përmes këtij procesi”, thotë ai.
Ai tregon nenet që është kundër, derisa thotë se ky ligj do të na çojë në inceste, derisa mund të martohen motër e vëlla, pa e ditur që janë, pasi ata kurrë nuk mund ta kuptojnë se kush është babai i tyre.
“Por unë si deputet jam plotësisht kundër disa neneve që janë në këtë ligjin e ri, që mendoj që e cenojnë jashtëzakonisht shumë familjen tradicionale që e kemi ne si shqiptarë por edhe si familjet në botë. E para është që në atë ligj parashihet që një vajzë e cila është vetëm 18 vjeçare, të ketë të drejtën e marrjes së donacionit, më thjeshtë, një vajzë e re që nuk është e martuar as nuk bashkëjeton, jeton e vetme dhe i mbush 18 vjet, dhe dëshiron të bëhet nënë, e shfrytëzon këtë ligj dhe zgjedh një donator, në fakt nuk ka mundësi ta zgjedh atë por donatorët japin spermatozoidin dhe ajo ka të drejtë përmes atij procesi të bëhet nënë. Ai fëmijë që lind nuk do të ketë të drejtë kurrë që ta dijë se kush është babai i tij. Përveç tjerash, përmes këtij ligji, mund të kalohet në inceste, pasi jemi vend i vogël, përmes një procesi të tillë do të ketë mundësi që të kemi martesa mes vëllait dhe motrës, për shkak se është e pamundur të identifikohen vëllai ose motra që janë bërë përmes këtij procesi. Ne po shohim se çka po ndodh në vendet tjera me këtë proces dhe besoj se do të duhej të marrim shembull që ta ndalim këtu këtë proces që dëmton vendin dhe familjen. Kjo është një nga arsyet pse unë e kundërshtoj këtë dhe mendoj se nuk do të kalojë në Kuvend”, shpjegon deputeti për Gazeta Blic.
Një arsye tjetër përmend atë që meshkujt përmes këtij ligji, mbi 23 vjeç, mund të kryejnë sterilizim dhe më pas nuk mund të kthehet prapa ajo e të kthehet gjendja e mëparshme.
“Arsyeja tjetër është që përmes këtij ligji pa një komision shëndetësor vlerësues, iu lejohet meshkujve mbi 23 vjeç që të sterilizohen, të mos kenë fëmijë. Ne jemi qenie njerëzore, një djali mund t’i ndodh që një ditë të mos jetë mirë në humor të mirë dhe shkon e kryen këtë proces dhe të nesërmen i bie pishman por nuk mund të kthehet kurrë në gjendjen që ka qenë. Andaj për këto raste shteti nuk duhet të jetë promovues i tyre pasi janë të dëmshme. Ka edhe çështje tjera por këta janë më të rëndësishmet”, thekson ai.
Rrahmani i bën thirrje ministrisë që të bëjë investime në QKUK për procesin që mund të bëhet me ligjin ekzistues dhe mos të promovojë procese të dëmshme.
“Shpresoj që do të reflektojë edhe ministria dhe i bëj thirrje ministrisë që të bëjë investime në QKUK, që të bëhet procesi në QKUK, që mundësohet me ligjin ekzistues për një burrë dhe një grua që duan të bëhen prindër dhe që sot s’mund ta bëjnë këtë në QKUK për shkak të investimeve dhe këto t’i bëjnë para se të futen në rrugë të tjera”, përfundon ai.