Site icon PrishtinaPress

Rrahmani: Abstenova ndaj vendimit të Kurtit, të shkarkohet i tërë Bordi i OSHP-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka thënë se kërkon shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të OShP-së, në një reagim ndaj abstenimit të tij ndaj propozim-vendimit të kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e Kimete Gashit, një anëtareje të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Rrahmani, në një deklarim për Paparacin të martën, tha se në deklarimet e tyre qeveritarët i kanë lënë fajtorë të gjithë Bordin e OShP-së lidhur me tenderin për insulina.

Për këtë arsye, ai ka thënë se bashkë me deputetin tjetër të LVV-së, Visar Korenicën, kanë abstenuar në ndaj propozim-vendimit të qeverisë në mbledhjen e djeshme të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

“Kemi abstenuar për shkak që kemi kërkuar me u shkarku komplet Bordi, pra tre anëtarë të Bordit të shkarkohen sipas kërkesës së kryeministrit dhe jo veç njani prej anëtarëve”, ka thënë Rrahmani për Paparacin.

Pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit ku abstenuan Rrahmani dhe Korenica, gjatë pauzës së kuvendit afër Rrahmanit shkuan deputeti Armend Muja, kryetar i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, si dhe shefja e GP të LVV-së, Mimzoa Kusari-Lila.

Por, Rrahami ka mohuar se deputeti Muja i ka kërkuar llogari për abstenimin e tij lidhur me propozimin e kryeministrit Kurti për shkarkimin e anëtares së OSHP-së Kimete Gashi.

“Jo bisedime të tjera kanë qenë, dhe nuk kanë qenë për këtë çështje”, ka thënë Rrahmani.

Rrahmani dhe Korenica votuan dje kundër propozimit të Qeverisë së Kosovës, të nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, për shkarkimin e Gashit, me arsyetimin se ajo kishte nënshkruar një vendim të dëmshëm lidhur me tenderin për insulina.

Qeveria e ka miratuar në maj të këtij viti propozimin për shkarkimin e Kimete Gashit dhe atë ia ka proceduar kuvendit.

Vet shefi i qeverisë e ka propozuar shkarkimin e Gashit.

“Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin për furnizimin me insulina. Bazuar në vendimin në fjalë, lejohet furnizimi me insulina pa autorizim marketingu”, ka thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë më 10 maj. “Detyrohemi të marrim masa”.

Megjithatë, propozim-vendimi i Kurtit ka ngecur në komision parlamentar. Aty është ‘rrëzuar’ të hënën nga deputetët e tij të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë abstenuar në shqyrtimin e propozimit në mbledhjen e komisionit të hënën.

Abstenimet e Eman Rrahmanit dhe Visar Korenicës kanë rezultuar në dështimin e kësaj pike.

Rrahmani, në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar për Buxhet, ka kërkuar që qeveria ta ndryshojë propozimin. Ka rekomanduar shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të OSHP-së, e jo vetëm shkarkimin e Gashit.

“Në bazë të konkludimeve që i kemi pasur në këtë komision, edhe sipas deklarimeve të vet qeverisë, është konstatu se përgjegjës janë të gjithë anëtarët e bordit. Dhe, si i tillë, unë mendoj se nuk kemi të drejtë t’i rekomandojmë kuvendit shkarkimin e vetëm një anëtareje të bordit. Kështu që, unë propozoj që qeverisë t’i kërkohet të vijnë të gjithë emrat e atyre që kanë qenë përgjegjës të këtij vendimi mbi të cilin është mbështetur qeveria për shkarkimin e anëtares [Kimete Gashi]”, ka thënë Rrahmani.

Në shqyrtimin e propozimit, ka abstenuar edhe deputetja boshnjake e koalicionit qeverisës, Duda Balje.

Rrahmani, Korenica dhe një pjesë tjetër e deputetëve të LVV-së, të cilët përbëjnë një grup prej mbi dhjetë deputetësh, kanë krijuar një ndasi në Grupin Parlamentar të LVV-së pas procedimit në kuvend nga qeveria të Projekt-Kodit Civil, i cili parasheh lejimin e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, tash i pavaruri Haki Abazi, në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) javën e kaluar paralajmëroi mundësinë e një tjetër ‘krisje’ brenda grupit të deputetëve të LVV-së nëse qeveria insiston ta procedojë në kuvend sërish, të pandryshuar, Projekt-Kodin Civil. /Paparaci.com

Exit mobile version