Avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi ka thënë se klienti i tij ishte i përfshirë në blerjen e rezervave shtetërore.
Ai ka deklaruar se Muharremi ishte angazhuar në blerjen e rezervave shtetërore nga Ministrja Rozeta Hadjari.
“E ka angazhuar Ministria. Drejtpërdrejt ministrja Hajdari”, ka thënë Halimi.
Në anën tjetër, Ministrja Rozeta Hajdari, ka deklaruar të premten se nuk ka njohuri dhe nuk e ka parë askund nëpër dokumente emrin e Ridvan Muharremit, i cili u arrestua të premten bashkë me dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Halimi ka sqaruar se gruri ishte blerë në Turqi dhe ishte sjellë në Kosovë përmes portit të Durrësit me ndihmën e Ridvan Muharremit.
“Për klientin tim, për cilin e di se Ridvan Muharremi s’ka pasur asnjë pozitë në ministri, është kyçur në baza vullnetare sepse në kohën relevante kur kanë ndodhur ngjarjet, ka qenë koha pas agresionit rus në Ukrainë, dhe ka pasur mungesë të artikujve ushqimorë”, ka deklaruar Halimi.
Ai ka thënë ishin blerë dhjetë mijë tonë grurë në Turqi ndërsa gjashtë tonë ishin dhënë falas për Kosovën.
“Atë ditë që është kryer transaksioni dhe është ngarkuar malli m’u nis knej, Ridvani ka udhëtuar dhe është kthyer në Prishtinë dhe drejt ka shkuar në Ministri dhe i ka njoftuar se malli do të vijë në portin e Durrësit”, ka thënë avokati Halimi, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Klankosova.tv.
“Z. Ridvan deri këtu e ka kryer misionin. Me shpenzimet e veta”, ka shtuar ai.
Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim dy zyrtarët Haviz Gara dhe Irfan Lipovica si dhe biznesmeni Ridvan Muharremi që ishin arrestuar të premten.
Prokuroria Speciale nisi të premten në orën 6 të mëngjesit aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.