1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Rohde: Banjska ndryshoi gjithçka, nëse s’ka përparim do të kemi konflikt të ngrirë

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Joern Rohde, ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku Policia e Kosovës u përball me një grup të armatosur serb dhe si pasojë humbi jetën rreshteri policor, Afrim Bunjaku, ndërsa u lëndua polici, Alban Rashiti.

Në një intervistë për Kosovo Online, Rohde është shprehur se sulmi i Banjskës ndryshoi gjithçka.

Ai nuk ka hezituar që këtë sulm ta quajë terrorist, teksa tha se nuk bëhej fjalë për qytetarë të pakënaqur ashtu siç pretendonte Serbia, por kishin raketahedhës, automatikë dhe granata.

“Banjska ndryshoi gjithçka. Ishte një sulm terrorist. Këta nuk ishin qytetarë të pakënaqur, por kishin raketahedhës, automatikë, granata… Jemi ende në kërkim të autorëve të dyshuar që duhet të dalin para drejtësisë. Vetë Milan Radoiçiq tha se është përgjegjës, por ende nuk ka përgjegjësi, nuk mund të pranojmë parimin e mosndëshkimit. Nëse kryen një krim, duhet të gjykohesh. Shpresojmë se Serbia është duke punuar në këtë. Personalisht, nuk mund ta imagjinoja se do të ndodhte diçka e tillë, dhe për këtë arsye NATO e shtoi praninë e saj dhe Gjermania do të bëjë të njëjtën gjë me një kontingjent të ri nga maji”, ka thënë ai.

Diplomati gjerman është shprehur se Perëndimor do paqe dhe stabilitet, ndërsa sulmet si ai në Banjskë janë e kundërta, teksa ka kërkuar që autorët të ndëshkohen.

“Ajo që duam është paqe dhe stabilitet. Sulmet si ky janë saktësisht e kundërta e kësaj. Nëse nuk dënohen autorët e sulmit në Banjskë, si mund të rritet besimi mes dy vendeve. Kjo ishte një punë e madhe dhe me të vërtetë autorët duhet të ndëshkohen”, ka thënë ai më tej.

Duke folur për integrimin evropian, ai ka theksuar se nëse Evropa nuk vjen në rajon dhe nëse rajoni nuk i bën detyrat e shtëpisë, njerëzit do të ikin për në Evropë.

“Shtrohet pyetja se çfarë ndodh nëse nuk ka përparim, atëherë do të ketë një konflikt të ngrirë. Unë gjithmonë them se nëse Evropa nuk vjen në rajon dhe nëse rajoni nuk i bën detyrat e shtëpisë, njerëzit do të ikin për në Evropë. Unë shoh demografinë e gjithë Ballkanit Perëndimor – Serbia ka humbur një milion njerëz në 10 vitet e fundit, Bosnja po humb njerëz, shkalla e migrimit në Kosovë është gjithashtu e lartë. Ne kemi nevojë që njerëzit të kenë shpresë se gjërat do të përmirësohen dhe të mos mbeten të ngrirë në konflikt. Liderët politikë duhet të gjejnë kompromise”, ka thënë ambasadori Joern Rohde.

Rohde po ashtu ka folur për ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, duke shprehur shpresën që Serbia do t’u bashkëngjitet vendeve që e kanë sanksionuar Kremlinin për agresionin në Ukrainë.

“Rusia pushtoi Ukrainën, një vend fqinj ortodoks, dhe që atëherë mijëra njerëz kanë vdekur. Ky ishte agresion në tokën evropiane dhe e gjithë Evropa u bashkua kundër agresionit rus. Gjermania është një nga vendet që mbështet më shumë Ukrainën për të rifituar territoret e saj të humbura dhe për të ruajtur stabilitetin. Shpresojmë që të gjitha vendet, përfshirë edhe Serbinë, t’i bashkohen sanksioneve. Ky agresion nuk duhet të jetë i suksesshëm, sepse atëherë Putini do të përpiqet të shkaktojë përçarje, urrejtje në pjesët e tjera, natyrisht edhe këtu. E theksoj gjithmonë se ky ishte agresion ndaj një vendi fqinj, ortodoks nga Rusia”, ka thënë Rohde.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img